Studimi zbulon se Grupet e Krimit të Organizuar (GKO-të) nga disa vende si Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë zhvilluar rrjete ndërkombëtare me mbi 30 anëtarë. Këto GKO përfaqësojnë aktorët dhe drejtuesit kryesorë të krimit të organizuar (KO) në rajon.

GKO-të e tjera që kanë më pak anëtarë (nga 3-4 në rreth 15), veprojnë kryesisht në nivel kombëtar ose si lehtësues të GKO-ve më të mëdha. Gjinia dominuese e anëtarëve të këtyre grupeve është ajo mashkullore (në rreth 90% të rasteve). Gratë janë të angazhuara në pjesën logjistike, edhe pse ka raste individuale ku ato kanë pozicione më të larta në hierarkinë e grupeve kriminale. Mosha e anëtarëve mund të variojë nga 20 deri në 50 vjeç, në varësi të aktivitetit dhe territorit. Mesatarja e moshës së vlerësuar është rreth 35 vjeç, megjithatë, ka raste që anëtarët e këtyre grupeve janë të moshës 65 vjeç e sipër. Kombësitë dhe etnitë e GKO-ve ndjekin modelet e rajoneve të tyre, duke pasur lidhje të forta me familjet dhe traditat e tyre. Megjithatë, dallimet në sfond nuk i pengojnë GKO-të të bashkëpunojnë dhe të krijojnë rrjete kriminale.

Veprimtaritë kryesore kriminale të kryera nga GKO-të në Ballkanin Perëndimor (BP6) janë trafikimi i paligjshëm i drogës dhe trafikimi i emigrantëve. Ndërsa, trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse dhe pastrimi i parave shërbejnë si lehtësues të aktiviteteve kryesore. Llojet më të rralla të krimeve janë krimet e organizuara të pronës, ku kontrabanda e mallrave është veprimtaria më e spikatur. Trafikimi i qenieve njerëzore kohët e fundit është një temë e përhapur shumë në publik, kryesisht për shkak të numrit të madh të emigrantëve që kalojnë nëpër Ballkan, çka shton mundësinë për emigrim të paligjshëm dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Megjithatë, duket se për momentin autoritetet nuk evidentojnë GKO-të e mëdha në trafikimin e qenieve njerëzore. Përveç kësaj, krimi kibernetik përfaqëson një prirje në rritje, por gjithashtu nuk duket se GKO-të e njohura e kanë këtë si një aktivitet thelbësor.

Ky hulumtim fokusohet në gjashtë kandidatët për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) nga Ballkani Perëndimor (BP6): Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Objektivat e tij janë të hartëzojë fenomenin dhe karakteristikat kryesore GKO-ve në rajon. Analiza bazohet në hulumtimin e të dhënave parësore dhe dytësore, duke përdorur intervista me ekspertë, njoftimet e policisë, statistika zyrtare, dokumentet kombëtare SOCTA (Vlerësimi i Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda), etj.

Mendimet e shprehura në këtë botim janë përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Ambasadës së Holandës në Beograd, Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd, Fondit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara ose partnerëve të tij.

Shkarko Librin e Vogël të Zi në Anglisht / Shqip