Sondazhi “Besimi në Qeverisje” përgatitur nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shqyrton perceptimin publik dhe qëndrimet e qytetarëve në çështje si: besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, korrupsioni, niveli i përfshirjes qytetare në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike, menaxhimi i fatkeqësive natyrore dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi. Pyetësori i sondazhit i ruan të pandryshuara pyetjet kryesore që datojnë që prej vitit 2013. Sidoqoftë, ai rishikohet çdo vit nga një panel ekspertësh të qeverisjes së mirë dhe shkencave sociale, për të përfshirë zhvillimet dhe trended e ligjërimit publik.
Pyetësori i edicionit të nëntë të sondazhit “Besimi në Qeverisje 2021” u realizua në nëntor 2021, në të 61 bashkitë e vendit, duke përdorur një kampion përfaqësues kombëtar prej 2,500 personash të zgjedhur në mënyrë rastësore.
Përgjatë viteve, Sondazhi i Opinionit Publik ka evoluar për të mbetur relevant në kuadrin e monitorimit të reformave madhore të ndërmarra nga qeveria shqiptare, të drejtuara tek institucionet publike që mund të ofrojnë shërbime cilësore, drejtësi dhe kohezion social, politika ekonomike të drejta, mbrojtje mjedisore, etj. Për më tepër, të dhënat e mbledhura çdo vit mbështesin vlerësimin e performancës së vendit dhe zbatimit të angazhimeve në nivel ndërkombëtar si Partneriteti për Qeverisjen e Hapur (PQH) dhe Axhenda 2030: Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ky raport është përgatitur në kuadër të Projektit “Konsolidimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin në Shqiperi” (CSDA), një fond i përbashkët donatorësh, i cili zbatohet nga qeveria shqiptare në partneritet me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe me Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim (ADC) si kontribues kryesor, bashkë me UNDP-në. Brendia e raportit është përgjegjësi e autorëve dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht politikat ose qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare, UNDP-së, apo ADC-së.
Klikoni për të shkarkuar raportet: IDM-OpinionPoll-2021-Shqip