Në ciklin e katërt radhazi të monitorimit, “Monitorimi RAP për Shqipërinë 2024/2025 – Shërbimet Publike dhe Digjitalizimi” paraqet rezultatet e monitorimit të Reformës në Administratën Publike (RAP) në Shqipëri. Ky është raporti i dytë nga 6 raporte të prodhuara bazuar në një metodologji dhe qasje të re raportimi, i cili vlerëson transparencën dhe përqendrimin te qytetari në hartimin dhe ofrimin e shërbimeve publike, në tre dimensione: (1) shërbime publike të përqendruara te qytetari, (2) aksesueshmëria dhe disponueshmëria e informacionit për shërbimet, dhe (3) digjitalizimi i ofrimit të shërbimeve.
Duke u mbështetur në parimet e SIGMA/OECD dhe metodologjinë e bazuar në evidenca të WeBER, të përmirësuar për WeBER 3.0, ky raport vlerëson performancën e Shqipërisë përmes nën-indikatorëve të detajuar, duke kombinuar analizat strategjike e ligjore, praktikat e zbatimit dhe perceptimet e qytetarëve dhe ekspertëve. Të dhënat mblidhen përmes dokumenteve zyrtare, kërkesave për informacion dhe intervistave të strukturuara, duke krahasuar njëkohësisht rezultatet e Shqipërisë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat krahasuese rajonale për Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë raportet kombëtare dhe rajonale të Monitorimit të RAP ndër vite (2017–2025) janë të disponueshme në: www.par-monitor.org.
Raporti “Monitorimi i RAP për Shqipërinë 2024/2025” është pjesë e projektit WeBER 3.0, një iniciativë rajonale e rrjetit Think for Europe Network për monitorimin dhe mbështetjen e zbatimit të RAP në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).