Punim i përgatitur në kuadër të projektit: “Perspektivat e integrimit dhe efektet sinergjike të transformimit europian në vendet e synuara nga politikat e zgjerimit dhe fqinjësisë së BE-së”. Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE përfaqëson ndoshta një nga çështjet më të debatuara në diskursin publik dhe politik kombëtar.
Duke u konsideruar si nxitja më e fortë për të ecur përpara në procesin e demokratizimit, lufta për integrim në BE dhe performanca e aktorëve politikë në të ka tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, sektorit privat, si dhe vëmendjen e publikut në përgjithësi.