Facebook
Mail

IDM kontribuon në raportin e Rrjetit të institucioneve akademike të OSBE-së

“Rrjeti i institucioneve akademike të OSBE” publikoi këto ditë raportin për “Perceptimin e kërcënimeve në hapësirën e OSBE”. Ky është produkti i parë i tij dhe fokusohet në analizën e një spektri të gjerë perceptimesh që qeveritë përkatëse kanë për kërcënimet duke bërë edhe një krahasim të tyre.

“Rrjeti i OSBE” është një iniciativë e pavarur që jep ekspertizë, nxit diskutime dhe rrit ndërgjegjësimin për problemet e sigurisë në fushat e përgjegjësisë të OSBE. Duke qenë aktiv në shkëmbimin e përvojave dhe bashkërendimin e aktiviteteve midis vendeve anëtare të OSBE, ky “Rrjet” nuk është strukturë e OSBE, për rrjedhojë agjenda e tij nuk varet nga ajo e OSBE apo e ndonjë shteti anëtar të OSBE. Anëtarët e tij, janë aktualisht 35 institucione kërkimore, nga vendet anëtare të OSBE, të cilët merren me kërkime akademike dhe analiza të politikave për çështje që kanë lidhje me agjendën e sigurisë të OSBE, por “Rrjeti i OSBE” është fleksibël dhe i hapur edhe për institucione të tjera akademike e studimore që janë të gatshme dhe të aftë të kontribuojnë me ekspertizë akademike dhe analiza politikash për çështje që i interesojnë OSBE. Për më shumë informacion në lidhje me “Rrjetin e OSBE” lutemi ndiqni lidhjen: https://www.osce.org/

Raporti për “Perceptimin e kërcënimeve në hapësirën e OSBE” është bazuar në raportet për 18 vende pjesëmarrëse në OSBE, të përgatitura nga institucionet kërkimore përkatëse. Ai u përgatit në periudhën midis fundit të Janarit – fillimit të Shkurtit 2014, me një pjesë të veçantë, të shtuar për të reflektuar ndryshimet në perceptim, rrjedhojë e krizës së Ukrainës.

Një gjetje e veçantë e Raportit është fakti që perceptimi në lidhje me kërcënimet e brendshme, së bashku me dyshimin për efikasitetin dhe legjitimitetin e metodave të qeverisjes ndaj tyre, predominon në gati të gjitha vendet e analizuara në raport. Për sa i përket kërcënimeve transnacionale, vendet më të zhvilluara ndihen më të sigurta në mjetet e tyre për t’i përballuar ato, kurse vendet e tjera, që kanë më shumë probleme të brendshme sigurie, ndihen gjithashtu më shumë të rrezikuara nga kërcënimet e jashtme. Kërcënimet ushtarake konsiderohen “të ndjeshme” vetëm nga disa prej shteteve të analizuara, por kriza e Ukrainës/Krimesë, siç analizohet në raport, po çon në perceptime të reja, të ndryshme, në lidhje me kërcënimet e jashtme.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Tiranë, iu bashkua “Rrjetit të OSBE” dhe ka kontribuar për Raportin me vlerësimet e veta të bazuara në analizën e një numri dokumentesh zyrtare për sigurinë në Shqipëri si dhe në intervistat e zhvilluara me ekspertë të nivelit të mesëm nga institucionet kryesore të sigurisë në vend. Për më shumë informacion, lutemi shihni “Raportin për perceptimin e kërcënimeve në hapësirën e OSBE”, në adresën: https://www.osce.org/files/f/documents/8/6/118080.pdf

Publikime të Ngjashme