Skip to content Skip to footer

Projekti CIVILISC: Ndarja e praktikave të mirë-qeverisjes në Shqipëri dhe Bullgari | 14 shtator 2018

Projekti CIVILISC – Ndarja e praktikave të mirë-qeverisjes në Shqipëri dhe Bullgari

Tiranë, 14 shtator 2018 – Gjatë 3 viteve të fundit, IDM në partneritet me Fondacionin RiskMonitor (Bullgari) kanë zbatuar projektin CIVILISC- Instrumentet e Shoqërisë Civile kundër Korrupsionit, të financuar nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, me qëllim përmirësimin e rolit dhe kapaciteteve të aktorëve të shoqërisë civile në nxitjen e  mirë-qeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit në nivel vendor.

Lufta kundër korrupsionit është një ndër sfidat kryesore, si dhe një ndër faktorët themelorë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE- e cila kërkon reforma të qëndrueshme më qëllim ndërtimin e institucioneve demokratike dhe efikase. Për më tepër, aktorët e shoqërisë civile duhet të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në zbatimin e mekanizmave kundër korrupsionit dhe gjithashtu të ndërmarrin nisma që kontribuojnë në përmirësimin e efikasitetit të qeverisjes vendore, transparencës, llogaridhënies, cilësisë së shërbimeve publike dhe pjesëmarrjen qytetare.

Në këtë kontekst “transformues”, projekti CIVILISC ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile për të luajtur një rol vendimtar në përmirësimin e mirë-qeverisjes. Përvoja e përftuar nga projekti CIVILISC tregoi se mangësitë e mirëqeverisjes janë më evidente në nivel vendor, për shkak të mungesës së kapaciteteve të aktorëve qeveritar dhe jo-qeveritar për të trajtuar këtë çështje, nivelin e ulët të besimit të publikut në qeverisje dhe mungesën e qasjes gjithëpërfshirëse në vendimmarrje. Në këtë kontekst, projekti CIVILISC ka arritur rezultate pozitive në lidhje me zhvillimin dhe angazhimin e shoqërisë civile në 12 bashki të vogla në Shqipëri.

Ndër të tjera, ka përmirësuar kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile dhe administratës vendore në luftën kundër korrupsionit, si dhe në hartimin e materialeve burimore të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.

Në përmbyllje të këtij projekti, më datë 14 shtator 2018, të dy organizatat zbatuese organizuan konferencën përfundimtare të projektit e cila shërbeu si një vendtakimi midis aktorëve qeveritar dhe jo- qeveritar nga Shqipëria dhe Bullgaria, të cilët ndanë eksperiencën e tyre në luftën kundër korrupsionit në Bullgari në kuadër të parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit në nivel vendor, si dhe përpjekjet e përbashkëta që institucionet qeverisëse dhe aktorët e shoqërisë civile duhet të ndërmarrin për të nxitur qeverisjen e mirë në nivel lokal.

Konferenca u përshëndet nga Drejtori Ekzekutiv i IDM-së, z. Sotiraq Hroni, Dr. Stephen Stork – Kryetar i Seksionit për Sundimin të Ligjit dhe Qeverisjes së Mirë, zëvendësministri i Drejtësisë, znj. Teuta Vodo dhe znj. Pavlina Filipova nga Fondacioni RiskMonitor. Në fjalimin e tij, z. Stork theksoi ndikimin e CIVILISC dhe kontributin e IDM në përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në qeverisjen e mirë në nivel lokal, si një përgjigje për përpjekjet e BE për të ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit.

Përveç kësaj, znj. Vodo vlerësoi punën e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit, e cila është në përputhje edhe me Planin Kombëtar të Veprimit kundër Korrupsionit, si dhe inkurajoi OSHC-të që të bashkëpunojnë me institucionet qeveritare në procesin e monitorimit të këtij plani të veprimit.

Gjithashtu, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë përvojat dhe praktikat e mira ndërmjet panelistëve nga Bullgaria dhe Shqipëria mbi sfidat dhe zhvillimin e mëtejshëm të njësive të qeverisjes vendore në luftën kundër korrupsionit; qasja shumë-palësh në vendimmarrjen vendore dhe angazhimi i te rinjve si “Agjentë të Ndryshimit” në nivel vendor.

Për më shumë detaje mund të lexoni rezultatet e CIVILISC të paraqitura në formë grafike: CIVILISC In a Nutshell   dhe broshura “Modele të praktikave të OSHC-ve në luftë kundër korrupsionit në nivel vendor”.

*Mos hezitoni të na kontaktoni në: [email protected] për variantin PDF te kesaj broshure.