Facebook
Mail

Rezultate nga Monitorimi i RAP 2019/2020|Perceptimi publik për ofrimin e shërbimeve në Ballkanin Perëndimor është në rritje

 

Perceptimi publik për ofrimin e shërbimeve në Ballkanin Perëndimor është në rritje

Tetor 2020- Rezultatet e anketimit të perceptimit publik për dhënien e shërbimeve administrative tregojnë se qeveritë e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të përparojnë drejt shërbimeve të digjitalizuara dhe të orientuara drejt qytetarëve.[1] Anketimet e këtij viti tregojnë se të gjitha shtetet e rajonit janë ose duke bërë progres, ose kanë mbetur në të njëjtin nivel të raportuar në Monitorimin e parë të Reformës në Administratën Publike (RAP) në 2017/2018.

Perceptimi publik thekson nevojën për shërbime të orientuara më shumë drejt qytetarëve

Krahasuar me rezultatet e Monitorimit të mëparshëm të RAP-it, Serbia dhe Shqipëria shënojnë ndryshimet më të dukshme sa i takon perceptimit qytetar për thjeshtësinë e ndërveprimit me administratën publike (grafiku 1). Në fjalë të tjera, në këto dy shtete u shënua një rritje respektive prej 23 dhe 18 pikësh përqindjeje, ndjekur nga Mali i Zi me 14 pikë përqindjeje.

Grafiku 1: % e qytetarëve të cilët mendojnë se ndërveprimi me administratën publike është thjeshtëzuar në dy vitet e fundit

Anketimi tregon gjithashtu se afërsisht dy të tretat e qytetarëve të rajonit ndjejnë se qeveritë e tyre janë duke ecur kah digjitalizimi (69%). Përveç Bosnje – Hercegovinës ku ky trend perceptohet nga diçka më pak se 50% e qytetarëve, në të gjitha vendet e tjera të rajonit 66% deri në 81% e qytetarëve të anketuar mendojnë kësisoj. Në nivel rajonal, qytetarët vunë në pah përmirësime pozitive në lidhje me kohën e nevojshme për të marrë shërbime administrative. Ky perceptim ndjehet sidomos në Serbi, Shqipëri dhe Mal të Zi, ku më tepër se 60% e qytetarëve konfirmojnë shkurtimin e kohës së marrjes së shërbimit.  

Vlen të përmendet gjithashtu se 58% e qytetarëve të rajonit pohojnë se ia njohin qeverive përpjekjet për të thjeshtëzuar procedurat administrative – shifër më e lartë se Monitorimi i mëparshëm i RAP-it. Siç edhe më parë, administrata publike në Kosovë renditet në vendin e parë sipas perceptimeve, ndjekur nga Serbia.

Disponueshmëria e shërbimeve elektronike: më tepër dijeni, të njëjtat nivele përdorimi

Dijenia e publikut për shërbimet elektronike në vendet e Ballkanit Perëndimor është në rritje. Ndryshe nga Monitorimi i mëparshëm i RAP-it, asnjë shtet nuk regjistron vlera të vetëdijësimit nën 50%. Maksimumi i vlerës së arritur është 74% të qytetarëve, në rastin e Shqipërisë (grafiku 2). Në anën tjetër gjejmë se ka akoma shumë qytetarë të cilët nuk i përdorin këto shërbime – një e treta e qytetarëve në rajon deklarojnë se nuk i kanë përdorur kurrë ato. Për më tepër, më pak se një e treta e qytetarëve i përdorin këto shërbime rrallë ose ndonjëherë, teksa shumë prej tyre i përdorin veçse me raste. Vihet re se vetëm 10% e qytetarëve i kanë përdorur shpesh shërbimet elektronike.

Grafiku 2: % e qytetarëve që deklarojnë se kanë dijeni për disponueshmërinë e shërbimeve elektronike

Në të njëjtën kohë, anketimet tregojnë se pjesa më e madhe e qytetarëve të çdo vendi (ndërmjet 70% dhe 80%) raportojnë se shërbimet elektronike janë të lehta për t’u përdorur. Kjo ngjason me rezultatet e Monitorimit RAP 2017/2018, në të cilin afro 80% e të anketuarve në të gjitha vendet raportuan lehtësinë e përdorimit të këtyre shërbimeve.

Duke pasur parasysh rezultatet e larta të vetëdijësimit, mungesa e informacionit mbi shërbimet elektronike vështirë se mund të justifikojë përdorimin e pakët të tyre. Më tepër se dy të tretat e qytetarëve që i kanë përdorur shërbimet elektronike pak a shumë vazhdimisht, patën pak ose aspak vështirësi në marrjen e shërbimeve që kërkuan. Sidoqoftë, në kontekstin e perceptimeve publike në Shqipëri, BosnjeHercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi ka pasur përmirësime të prekshme sa i përket ofrimit të shërbimeve të orientuara kah qytetarët. Në anën tjetër, situata në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut ka mbetur kryesisht e pandryshuar.

Vlerat rajonale të indikatorit për perceptimin publik të orientimit të administratës publike kah qytetarët (shkalla 0-5)

 

[1] Njësoj siç edhe në Monitorimin e RAP-it 2017-2018, matja e perceptimit publik për vetëdijësimin mbi dhe dobishmërinë e mekanizmave të marrjes së opinioneve dhe qasjes së qytetarëve në to, është bërë përmes anketave të perceptimit publik që u zhvilluan në të njëjtën mënyrë, në secilin vend të Ballkanit Perëndimor. Anketimi u mbajt gjatë periudhës 5 deri në 30 maj 2020.

 

 

 

 

 

 

Rezultate nga Monitorimi i RAP 2019/2020|Perceptimi publik për ofrimin e shërbimeve në Ballkanin Perëndimor është në rritje

Etiketa: