Facebook
Mail

Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri 2021

 

Mars 2021 –Kanë kaluar gjashtë vjet që nga koha kur u krye vlerësimi i parë i ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri “Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri”dhe tre vjet më vonë Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim bëri vlerësimin kombëtar të nxitësve, formave dhe rreziqeve të ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri. Në vlerësimin bazë të vitit 2015 u analizuan radikalizimi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm në vend për të informuar politikëbërësit dhe aktorët e tjerë kryesorë për mënyrën e trajtimit të këtij fenomeni. Ky studim, që u bë bazë për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planit përkatës të Veprimit, ndihmoi të kuptoheshin më mirë faktorët kryesorë që mund të çojnë në radikalizim dhe niveli i mbështetjes për ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri. Vlerësimi i vitit 2018, edhe pse fokusohej gjithashtu në ekstremizmin e dhunshëm fetar, i siguroi komunitetit të Parandalimit/Luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (P/LKEDH) dhe institucioneve shtetërore një studim më të gjerë, të realizuar në 50 bashki ku u shqyrtuan perceptimet, qëndrimet, dhe përvoja bazë e shqiptarëve në lidhje me nxitësit e ekstremizmit të dhunshëm.

 Ndonëse në vitet e fundit ekstremizmi i dhunshëm fetar përbënte një shqetësim serioz për Shqipërinë, studimi i vitit 2018, “Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri” (IDM, 2018), evidentoi një potencial në rritje të formave të tjera të ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri. Në fakt, ky studim konfirmon se shqiptarët janë më shumë të shqetësuar për ekstremizmin politik sesa për ekstremizmin fetar apo nacionalist. Shqiptarët priren të deklarojnë se në komunitetin e tyre veprojnë më shumë grupet apo individët ekstremistë politikë (27.3%) sesa grupet apo individët ekstremistë fetarë (12.1%) apo nacionalistë (7.6%).

Për të lexuar raportin e plotë klikoni për të shkarkuar dokumentin në anglisht dhe shqip.

 Ky studim ka si qëllim të informojë vendimmarrësit dhe të përmirësojë kapacitetet e aktorëve kryesorë të P/LKEDH duke ofruar njohuritë që shërbejnë për të formësuar politikat e parandalimit, programet e ardhshme të shkëputjes (nga grupet ekstremiste), dhe masat institucionale e kapacitetet e aktorëve për rehabilitimin dhe riintegrimin e të kthyerve dhe viktimave të mundshme të ideologjive të ekstremizmit të dhunshëm në të ardhmen.Së fundi, ky studim do të rrisë përpjekjet, qëndrueshmërinë e ndikimit të punës P/LKEDH dhe do të kontribuojë në informimin më të mirë të debatit publik dhe në ngushtimin e hapësirave për ideologjitë e EDH për rritjen e mbështetjes apo zgjerimit të bazës së pasuesve të tyre. 

 

 Ky studim u përgatit në kuadër të projektit “Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri – format dhe rreziqet e vazhdueshme të ekstremizmit të dhunshëm dhe rruga drejt forcimit të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm”, me mbështetjen financiare të Zyrës së Çështjeve Publike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Opinionet, gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet e shprehura në të janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara.

 

 

Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri 2021

Etiketa: