Qëndrueshmëria e përgjithshme e sektorit të shoqërisë civile në Shqipëri nuk pësoi ndryshime gjatë vitit 2020. Ndër shtatë dimensionet e analizës, raporti tregon se qëndrueshmëria financiare është përkeqësuar dhe ofrimi i shërbimeve është përmirësuar lehtë.
Tiranë, 25 nëntor 2021 – IDM zhvilloi aktivitetin online për prezantimin e gjetjeve të Indeksit të Qëndrueshmërisë së Organizatave të Shoqërisë Civile në Shqipëri për vitin 2020. Indeksi i Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për Evropën qendrore e lindore dhe Euroazinë 2020 raporton mbi zhvillimet e shoqërisë civile në vitin 2020 në dimensionet kryesore të qëndrueshmërisë së sektorit në njëzet e katër vende. Më shumë se 20 pjesëmarrës nga shoqëria civile, komuniteti i donatorëve, institucionet publike dhe përfaqësues të mediave iu bashkuan takimit dhe diskutuan prirjet e qëndrueshmërisë në sektorin e OSHC-ve.
Autorët e raportit paraqitën gjetjet kryesore për Shqipërinë duke theksuar se qëndrueshmëria e përgjithshme e sektorit të shoqërisë civile nuk ndryshoi në vitin 2020. Qëndrueshmëria financiare e OSHC-ve u përkeqësua pasi pati një regres të konsiderueshëm si në nivelet ashtu edhe në llojet e financimit në dispozicion të OSHC-ve. Pavarësisht përballjes me një sërë kufizimesh, OSHC-të plotësuan kërkesën në rritje për shërbime, si pasojë e krizës së COVID-19, duke rezultuar në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve. Dimensionet e tjera të qëndrueshmërisë mbetën kryesisht të pandryshuara. Gjetjet kryesore të raportit në lidhje me dimensionet e tjera përfshijnë:
Mjedisi ligjor i OSHC-ve nuk pësoi shumë ndryshime gjatë vitit 2020. Megjithatë, OSHC-të u prekën drejtpërdrejt nga legjislacioni i miratuar për të luftuar pandeminë COVID-19. Një sërë projektligjesh që synonin rregullimin e mjedisit ligjor të OSHC-ve në Shqipëri u prezantuan përgjatë vitit.
Kapaciteti organizativ i OSHC-ve nuk pësoi shumë ndryshime gjatë vitit 2020. Pavarësisht sfidave të shkaktuara nga kriza COVID-19, OSHC-të morën iniciativën për t’iu përgjigjur nevojave në rritje të komuniteteve të tyre. Një përmirësim i dukshëm u vërejt në aksesin e OSHC-ve në teknologji dhe përdorimin e platformave online, të cilat u përdorën nga OSHC-të për të komunikuar me komunitetet e tyre. Megjithatë, veprimtaria e OSHC-ve u paralizua gjatë bllokimit kombëtar duke dobësuar aftësinë e OSHC-ve për të arritur objektivat e parashikuara. Përveç kësaj, OSHC-të e vogla dhe të largëta hasën vështirësi për t’u përshtatur me formatin dixhital dhe aksesin në fonde, duke rrezikuar kështu qëndrueshmërinë e tyre.
OSHC-të intensifikuan aktivitetet e tyre të advokimit, megjithëse rezultatet përfundimtare të përpjekjeve të tyre për të ndikuar në politikën publike, legjislacionin dhe opinionin publik ishin të kufizuara dhe të përmbajtura nga vetë pandemia.
Infrastruktura që mbështet sektorin e OSHC-ve nuk pësoi ndryshime të mëdha gjatë vitit 2020. Edhe pse gjatë vitit u organizuan më shumë trajnime, ato ishin kryesisht online, gjë që kufizoi efektshmërinë e tyre pasi shumë pjesëmarrës nuk ishin mësuar me mjetet online. OSHC-të e vogla nga zonat e largëta kishin më pak akses në këto trajnime, dhe ndërveprimi midis pjesëmarrësve ishte i kufizuar.
Imazhi publik i sektorit nuk pësoi ndryshime të mëdha gjatë vitit 2020, pasi u vërejtën si zhvillime pozitive ashtu dhe zhvillime negative.
Përfaqësuesja e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), znj. Desareta Lameborshi në fjalën e saj përshëndetëse shpjegoi se viti 2020 ishte një vit i vështirë për shkak të pandemisë COVID-19. “Viti (2020) shënoi nivelin më të ulët të financimit publik në dispozicion të OSHC-ve në pesë vitet e fundit, sepse gati 40% e buxhetit të ndarë për thirrjet për propozime të AMSHC-së në vitin 2020 u ri-caktua në fillimin e përhapjes së COVID-19 tek njësitë e tjera.”
Panelistët e tjerë të ftuar nga Code Partners, Qëndresa Qytetare, dhe LëvizAlbania, ndanë këndvështrimet e tyre rreth prirjeve të sektorit dhe zhvillimeve kryesore që ndikojnë në qëndrueshmërinë e OSHC-ve. Prezantimet e tyre, të përqëndruara në sfidat dhe pengesat për qëndrueshmërinë e OSHC-ve, si dhe në historitë e suksesit, rritën interesin e pjesëmarrësve për dimensionet e ndryshme të qëndrueshmërisë së OSHC-ve. Përveç kësaj, ata ofruan njohuri shumë të dobishme mbi dinamikat dhe zhvillimet më të fundit në sektorin e OSHC-ve që duhet të merren parasysh në procesin e përgatitjes së raportit të indeksit për vitin pasardhës.
Klikoni më poshtë për të shkarkuar raportin për Shqipërinë 2020 ne anglisht / shqip & përmbledhjen e gjetjeve në anglisht / shqip.
IDM bashkëpunon me USAID, ICNL dhe FHI 360 për të përgatitur raportin e indeksit për Shqipërinë që prej vitit 2010.