Skip to content Skip to footer

Perspektivat Komunitare në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri | nëntor 2018

Perspektivat Komunitare në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri

IDM në kuadër të projektit studimor rajonal “Mundësitë për të Parandaluar Ekstremizmin e Dhunshëm (PEDH) në Ballkanin Perëndimor” në bashkëpunim me Fondacionin Berghof të financuar nga Ministria Federale Gjermane për Punët e Jashtme, zhvilloi studimin: “Perspektivat Komunitare për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri”.

Hulumtimi plotëson një boshllëk në fushën studimore të ekstremizmit të dhunshëm (EDH) duke u përqëndruar në komunitetet si njësitë parësore të analizës dhe duke shqyrtuar faktorët komunitarë që i bëjnë ato më të cenueshme ose më të qëndrueshme karshi ekstremizmit të dhunshëm. I përqëndruar në bashkitë e Korçës, Kavajës dhe Tiranës, ky studim nxjerr ne pah nivelin relativ të prekshmërisë prej EDH në këto komunitete dhe identifikon shkaqet strukturore, sociale dhe ideologjike të EDH në secilin prej tyre.

Në kuadër të këtij projekti, IDM zhvilloi disa aktivitete në qytetet që ishin pjesë e studimit.

15 nëntor 2018 – IDM zhvilloi Konferencën Përmbyllëse të projektit në Tiranë, ku morën pjesë aktorët e interesit nga institucionet shtetërore, komuniteti ndërkombëtar, shoqëria civile, komuniteti fetar dhe media.

Në këtë konference ishte e pranishme Znj. Susanne Schütz – Ambasadorja Gjermane në Shqipëri, e cila theksoi se pavarësisht që Shqipëria është më pak e prekur nga ekstremizmi i dhunshëm në krahasim me vendet fqinje, është e një rëndësie të madhe që  të studiohen forcat  e fshehura që

mundësojnë ekstremizmin e dhunshëm në vend.

Ndërsa në fjalën e tij Z. Ylli Gurra, Myftiu i Tiranës përmendi se para vitit 2015 ka pasur një mungesë të kohezionit  social, komunikimit me komunitetin dhe një mungesë besimi. “Nuk ka pasur bashkëpunim të mjaftueshëm midis institucioneve të sigurisë, institucioneve vendore dhe atyre fetare, por pas vitit 2015 kjo ka ndryshuar dhe ka një bashkëpunim më të mirë ndërmjet aktorëve. Ne duhet të ndërtojmë qëndresën në komunitetet tona, në mënyrë që të jemi gati për sfidat e ardhshme.

Sot konflikti është në Siri dhe Irak, por nesër ai mund të zhvillohet diku tjetër, prandaj ne duhet të përgatitemi për t’u ballafaquar me këto sfida” tha Z. Gurra.

Roland Alushani, Shefi i Policimit në Komunitet deklaroi se: “Nëse përfshihet në diskutim, policia mund të ofrojë një perspektivë unike në komunitet dhe të luajë një rol të dobishëm në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, pasi është pjesë e komunitetit ku shërben dhe është gati të bashkëpunojë.”

PREZANTIMI I STUDIMIT NE NIVEL VENDOR

Kavajë, 14 nëntor 2018 – IDM zhvilloi një bashkëbisedim në qytetin e Kavajës, ku morën pjesë përfaqësues nga Bashkia, Komisariati i Policisë, Myftinia, shoqëria civile, si dhe mësues, psikologë dhe qytetarë. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e vlerave qytetare në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm si dhe nevojën e edukimit fetar. Disa pjesëmarrës vunë theksin në keqpërdorimin e fesë dhe keqkuptimet fetare.

Korçë, 9 nëntor 2018 – IDM zhvilloi një Tryezë të Rrumbullakët në qytetin e Korçës me pjesëmarrës nga qeverisja lokale, Drejtoria Vendore e Policisë, shoqëria civile, si dhe psikologë, mësues,

Tryezë të Rrumbullakët – Korçë, 9 nëntor 2018

aktivistë dhe studentë. Pjesëmarrësit vlerësuan qasjen e komunitetit si njësinë parësore të analizës, pasi sipas tyre, kjo qasje i afrohet më shumë realitetit lokal. Ata u shprehën se forcimi i bashkëpunimit ndër-aktorial është shumë i nevojshëm për përballjen e sfidave të ndryshme përfshirë ekstremizmin e dhunshëm.

Disa nga përfundimet kryesore të studimit janë:

  1. Elementi parësor në përcaktimin e qëndrueshmërisë së një komuniteti, më shumë sesa mungesa e dukshme e faktorëve të cenueshmërise komunitare, është angazhimi dhe veprimi proaktiv i aktorëve të komunitetit. Pra, bashkërendimi i veprimeve të aktorëve komunitare, me qëllim parandalimin ose reagimin ndaj EDH janë kryesorët në përcaktimin e nivelit të riskut brenda një komuniteti.
  2. Radikalizimi është proces dhe ka një korrelacion pozitiv midis numrit të faktorëve që e bëjnë një komunitet të cënueshëm nga EDH. Çdo komunitet ka prezente faktorë të cënueshmërise nga EDH dhe rrjedhimisht nuk ekziston qëndrueshmëria ‘e përsosur’, por promovimi i faktorëve që ndikojnë në zbutjen e prekshmërisë nga EDH mund të rrisin qëndrueshmërinë komunitare ndaj fenomenit.

  3. EDH është një ndërthurje midis pakënaqësisë, ideologjisë ekstreme dhe mundësisë. Ideologjia ekstreme dhe pakënaqësia për jetesën aktuale fermentojnë tek individët një mospëlqim të status quo-së, prandaj në momentin më të favorshëm, me shfaqjen e mundësisë, individët mund të shndërrohen në ekstremistë të dhunshëm.

Studimi synon të hapë rrugën për një kuptim më të mire të aktorëve dhe faktorëve në nivel komuniteti që kanë impakt mbi EDH si edhe të nxisë aktorët e interesit (institucionet shtetërore, komuniteti ndërkombëtar, shoqëria civile, komuniteti fetar, media, etj.

) që të përqafojnë një qasje më proaktive në parandalimin e EDH.