6 Korrik 2022 – Deputetët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare morën pjesë në një dëgjesë publike me Kryetarin e Bashkisë Elbasan, drejtuesit e Drejtorisë Vendore e Policisë Elbasan, dhe Prokurorisë së Rrethit si dhe me anëtarët e tjerë të Këshillit Vendor për Sigurinë Publike (KVSP). Ata u njohën me mënyrën e funksionimit të KVSP dhe vlerësuan angazhimet e ndërmarra në kuadër të planit shumaktorial vendor ku ndahen përgjegjësitë midis gjithë aktorëve të përfshirë si: bashkia, policia, prokuroria, shkollat, biznesi, OJF-të, struktura qytetare, etj.
Kryetari i bashkisë Z. Llatja dhe njëkohësisht edhe kryetari i KVSP u shpreh se Këshilli Vendor i Sigurisë Publike gjatë dy viteve të fundit, edhe me asistencën e Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ka shënuar disa arritje të veçanta që kanë të bëjnë me mënyrën e organizimit dhe funksionimit, duke e bërë këtë strukturë këshillimore më operacionale dhe më të qëndrueshme. Në thelb të punës së kësaj strukture qëndron partneriteti horizontal i institucioneve deri tek qytetari.
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Z. Nasip Naço tha se gjatë viteve të fundit Komisioni për Sigurinë Kombëtare është përpjekur që në mënyrë proaktive të rrisë komunikimin përtej angazhimeve të Kuvendit. Z. Naço e vlerësoi dëgjesën pranë KVSP Elbasan si një përvojë të re në punën e komisionit.
Më tej, Drejtuesi i Prokurorisë Elbasan, z. Kreshnik Ajazi vuri theksin në partneritetin e suksesshëm midis Bashkisë, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë dhe angazhimin për t’i përkthyer në akte konkrete të gjitha vendimet që merr KVSP.
Gjithashtu, Z. Adrian Cipa, Drejtor i Policisë Vendore Elbasan, evidentoi rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së policisë dhe hapjen e saj ndaj aktorëve të tjerë përmes një qasje gjithëpërfshirëse të KVSP.
Aktorët e shoqërisë civile vunë në dukje një nga efektet pozitive të punës së KVSP, atë të krijimit të një kulture të ndarjes së informacionit midis institucioneve dhe publikut.
Ndërsa, deputetët vlerësuan punën e KVSP në Elbasan, komentuan çështje që kanë të bëjnë me përmirësime të mundshme të bazës ligjore në funksion të konsolidimit të mëtejshëm të këtij instrumenti të rëndësishëm.
Z. Bardhyl Kollçaku rekomandoi që kjo praktikë e mirë e KVSP të përfshijë në anëtarësinë e saj edhe aktorë të tjerë që kontribuojnë në sigurinë publike. znj. Antoneta Dhima përgëzoi punën e deritanishme për krijimin e këtij mekanizmi ku problematikat e rendit dhe sigurisë vendore të orientohen drejt institucioneve kompetente. Ndërkaq, znj. Pranvera Resulaj nënvizoi fokusin në edukimin qytetar si një element shumë i rëndësishëm për parandalimin e krimit dhe sigurinë publike.
Në emër të deputetëve të pranishëm, Z. Naço pranoi mundësinë për të zhvilluar edhe një seancë dëgjimore në Komisionin e Kuvendit Kuvendi i Shqipërisë për të vlerësuar nga i gjithë komisioni nevojën e përmirësimeve ligjore në mbështetje të kësaj përvoje, në shërbim të përmirësimit të sigurisë publike.
Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në kuadër të programit “Mbështetja për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri” (PACEP), i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI) dhe Prezenca e OSBE ne Shqipëri.