riintegrimi i te denuarve per vepra qe lidhen me ekstremizmin e dhunshem ne Shqiperi
Facebook
LinkedIn

BLOG: Riintegrimi i të dënuarve për vepra që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri: Roli i formimit profesional

riintegrimi i te denuarve per vepra qe lidhen me ekstremizmin e dhunshem ne Shqiperi

Ky blog është publikuar fillimisht në www.scenor.at/post/reintegrating-veo në 3 shkurt 2023

Autor: Romario Shehu

Trajtimi i autorëve të veprave që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm (VEO-t) – një grup që përfshin terroristët dhe personat e tjerë të cilët konsiderohet në rrezik për t’u përfshirë në ekstremizëm të dhunshëm në kontekstin e burgut ose shërbimit të provës – është një sfidë relativisht e re për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Veprat penale që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm parashikohen në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, të tilla si (i) Neni 230 Vepra me qëllime terroriste; (ii) Neni 231 Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të terrorizmit; (iii) Neni 232 Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste; (iv) Neni 234 Prodhimi i armëve luftarake (Organizata terroriste); dhe (v) Neni 265 Nxitja e urrejtjes ose grindjeve (265/a – Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj, Neni 265/b – Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj dhe Neni 265/c – Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj).

Raportet vjetore të Prokurorit të Përgjithshëm zbulojnë se gjatë periudhës 2015 – 2021 janë burgosur gjithsej 13 VEO në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Nëntë prej tyre ishin pjesë e një ‘celulë’ prej dy imamësh të paautorizuar dhe shtatë bashkëpunëtorët e tyre, e cila u shpërbë në vitin 2015. Ata u dënuan nga 7 deri në 18 vjet burg për nxitje të urrejtjes ose grindjeve dhe për rolin e tyre në koordinimin dhe rekrutimin e mbi 70 shtetasve shqiptarë (luftëtarë të huaj terroristë dhe familjet e tyre) të cilët iu bashkuan luftës në Siri. Sipas Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), VEO-t vijojnë të mbajnë profil radikal dhe janë të angazhuar në aktivitete radikalizuese. SHISH gjithashtu vlerëson se shkalla e radikalizimit të VEO-ve mund të ndikojë në situatën e sigurisë, pas përfundimit të dënimeve. Për sa u përket shtetasve shqiptarë që iu bashkuan konfliktit në Siri, shteti nuk ka mundur të riatdhesojë burrat, por vetëm 37 gra dhe fëmijë, të cilët u vendosën në programe rehabilitimi jashtë mjediseve të sistemit penitenciar.

Pse duhet të punojmë për riintegrimin e VEO-ve?

Përveç ruajtjes së komunitetit nga dënuarit, sistemi penitenciar ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në mbështetjen e integrimit gradual të të dënuarve në shoqëri, duke lehtësuar kështu procesin e shkëputjes së tyre nga krimi. Është pothuajse e pamundur t’i mbash njerëzit në sistemin penitenciar pas përfundimit të dënimit të tyre në një sistem ligjor ku pasi “kanë shlyer borxhin ndaj shoqërisë”, të dënuarit supozohet se do të mund të jetojnë sërish mes bashkëqytetarëve të tyre. Në të njëjtën kohë, lirimi i individëve që konsiderohen ende të rrezikshëm nuk është një zgjidhje e mirë duke marrë parasysh rrezikun e mundshëm që ata mund t’i paraqesin shoqërisë. Prandaj, puna për riintegrimin e të burgosurve është një zgjidhje e qëndrueshme për këtë qëllim, dhe për këtë arsye duhet të jetë një element kyç në çdo strategji që lidhet me parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Përveç mungesës së zgjidhjeve të tjera, puna për riintegrimin e VEO-ve sjell një sërë përfitimesh. Siç përmendet në Manualin e Këshillit të Evropësr Burgjet dhe Shërbimin e Provës në lidhje me Radikalizimin dhe Ekstremizmin e Dhunshëm, strategjia e të dy institucioneve duhet të jetë parandalimi i recidivizmit (përsëritjes së krimit) nga ana e VEO-ve, parandalimi i radikalizimit si në mjediset e burgut ashtu edhe në atë të shërbimit të provës, si dhe hartimi i një strategjie parandaluese afatgjatë brenda sistemit të drejtësisë penale. Në këtë sfond, puna për riintegrimin e VEO-ve mund të pengojë radikalizimin e mëtejshëm të tyre, por edhe radikalizimin e të dënuarve të tjerë në mjediset e burgut. Kjo e fundit është theksuar si një çështje shqetësuese në burgjet e Shqipërisë, pavarësisht se nuk arrin në përmasat e problemeve të hasura në vendet e tjera evropiane të cilat përballen me një numër të paprecedent VEO-sh. Në përpjekje për të frenuar radikalizimin brenda sistemit penitenciar, Ministria e Drejtësisë izoloi një VEO duke e vendosur atë në sistemin “41 Bis”, i cili është një regjim specifik burgu në Burgjet e Sigurisë së Lartë që izolon individë të caktuar në burgje, duke kufizuar kështu kontaktin e tyre me të tjerët. Vendosja e VEO-s në këtë regjim dështoi, pa arritur rezultate pozitive. Ky regjim ‘izolues’ nuk po përdoret më për VEO-t, pasi kostot e këtij regjimi janë më të mëdha se përfitimet, duke qenë se ai nxit më tej perceptimet e padrejtësisë mes VEO-ve, por edhe tek publiku jashtë mjediseve të burgut, duke kontribuuar kështu tek “sistemi i të kuptuarit” të VEO-ve (një rrjet i modeleve mendore që shërben si një kornizë përmes së cilës mbështetësit e ekstremistëve të dhunshëm perceptojnë dhe gjykojnë botën) në Shqipëri.

Përfitimi kryesor afatgjatë i të punuarit me VEO-t është mundësia për t’u ulur recidivizmin – që përbën vazhdimin ose kthimin në një model të mëparshëm të sjelljes kriminale – dhe ndihmën për integrimin e shkelësve në komunitet. Specifikisht, recidivizmi i referohet veprave të reja kriminale nga një individ pas përfundimit të dënimit në burg. Krahasuar me nivelin e përgjithshëm të të dënuarve, i cili në shumë shtete i kalon 50%, shkalla e recidivizmit nga VEO-t është dukshëm më e ulët, duke variuar nga 2% – 7%. Kjo vlen si për recidivizmin e përgjithshëm, ashtu edhe për shkeljet e lidhura me terrorizmin. Megjithëse këto shifra të ulëta mund të jenë një shkak për t’u qetësuar, ato nuk e pasqyrojnë të gjithë pamjen. Këto të dhëna në vendet evropiane nuk japin shifra gjithëpërfshirëse të recidivizmit për të gjithë individët që janë kthyer në radikalë gjatë qëndrimit në burg, por vetëm ata që vuajnë dënimin për vepra të lidhura me terrorizmin. Për më tepër, nuk është e saktë të supozohet se VEO-t nuk do të kryejnë sërish vepra penale, pasi edhe nëse ndodh një vepër e vetme, ajo mund të ketë një ndikim të rrezikshëm, veçanërisht nëse materializohet në një sulm terrorist, siç ishte rasti i sulmit në Urën e Londrës në vitin 2019, ose sulmi i Vjenës në 2020. Kështu, puna për riintegrimin e VEO-ve mund të pengojë radikalizimin e mëtejshëm në burgje, ulë recidivizmin dhe më tej të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë së komunitetit duke transformuar aktorët që shkaktojnë cenueshmëri.

Si duhet të punojmë për riintegrimin e VEO-ve?

Si një nga fazat kryesore të planit të rehabilitimit, riintegrimi i VEO-ve në shoqëri është një proces i gjatë dhe i vështirë që kërkon qasje ndër-institucionale dhe ndër-disiplinare me një fokus të veçantë në tranzicionin nga burgu tek shërbimi i provës. Literatura në këtë fushë tregon se zhvillimi i aftësive të VEO-ve përmes trajnimeve për formimin profesional është i rëndësishëm jo vetëm për të ulur ankthin, por edhe për të lehtësuar periudhën e tranzicionit pasi i burgosuri të lirohet. Në kontekstin shqiptar, trajnimet për formimin profesional janë programet më të pranuara nga VEO-t.

Trajnimet për formimin profesional, të tilla si programet e sipërmarrjes në burgje ofrojnë një mundësi reale për uljen e recidivizmit. Trajnimet për formimin profesional i pajisin pjesëmarrësit me aftësi thelbësore që rrisin mundësitë për punësimin e tyre, duke mbështetur zhvillimin personal dhe duke nxitur qytetarinë aktive. Këto janë elementë të rëndësishëm në kontekstin e radikalizimit, duke pasur parasysh se privimi ekonomik e bën të vështirë për individët të qëndrojnë të lidhur me shoqërinë e tyre ose të sigurojnë jetesën e tyre, të cilat më tej kontribuojnë në nxitjen e zemërimit dhe humbjen e shpresës. Në zonat me papunësi të lartë dhe me mungesë perspektive, ka një cenueshmëri më të madhe ndaj radikalizimit. Siç edhe e thekson një imam nga Shqipëria, “ana ekonomike është shumë e rëndësishme, pasi dikush që ka një punë, ai ka një sistem normal jetese i cili nuk le hapësirë për radikalizim.”

Duke marrë parasysh që trajnimi për formimin profesional është një mjet efektiv për punësim, zhvillim personal dhe qytetari aktive, është e rëndësishme të shfrytëzohet potenciali i tij për riintegrimin e VEO-ve. Megjithatë, trajnimi për formimin profesional nuk mund të jetë një shtyllë më vete dhe rrezikon të bëhet i padobishëm nëse nuk përshtatet në procesin më të gjerë të rehabilitimit dhe riintegrimit të VEO-ve. Në vend të kësaj, një program trajnimi për formimin profesional mund të shërbejë si pikë hyrëse ku personeli i burgut dhe punonjësit përgjegjës për riintegrimin e të burgosurve mund të ndërtojnë marrëdhënie personale me të dënuarit dhe të lehtësojnë angazhimin e tyre në procesin gjithëpërfshirës të rehabilitimit dhe riintegrimit duke kryer vlerësime të rregullta të rrezikut, nevojave dhe riintegrimit. Në mënyrë që kjo të jetë e arritshme, personeli i burgut dhe punonjësit përgjegjës për riintegrimin e të burgosurve duhet të zhvillojnë një gamë të gjerë kompetencash, të tilla si modelimin pro-social (anglisht: prosocial modelling), ristrukturimin njohës (anglisht: cognitive restructuring), intervistimin motivues dhe planifikimin e dënimit, ose edhe kompetenca më specifike si ndërhyrjet e lidhura me besimin.

Ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme varet pjesërisht nga riintegrimi i suksesshëm i VEO-ve. Megjithëse riintegrimi është një proces i gjatë dhe i vështirë në të cilin VEO-të zakonisht ngurrojnë të marrin pjesë, trajnimi për formimin profesional ofron një pikë hyrje shpresëdhënëse për personelin e burgut që të fitojë besimin e VEO-ve dhe të nxisë rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet zhvillimit të kompetencave të personelit; një kuadër ndër-institucional dhe ndër-disiplinor me praktika të efektshme të bazuara në fakte; një vlerësim i hollësishëm i rrezikut; ndarja e informacionit; lidhjen e burgut me shërbimin e provës si faza të ndryshme të të njëjtit proces; dhe monitorim të vazhdueshëm të të gjithë procesit. Në këtë drejtim, Shqipëria është pjesë e një projekti evropian, që kërkon të trajtojë fushat e lartpërmendura duke zhvilluar një kuadër evropian për shkëputjen dhe riintegrimin e të dënuarve ekstremistë dhe individëve të radikalizuar në burg. Projekti vendos këtë kuadër duke u mbështetur në njohuritë, aftësitë dhe metodat evropiane, duke i zhvilluar ato edhe më tej në sajë të mbledhjes së ekspertizës më të mirë në fushat përkatëse dhe duke e zbatuar atë në mbarë Evropën. Projekte të tilla janë të rëndësishme për të plotësuar boshllëqet në përpjekjet aktuale të rehabilitimit dhe riintegrimit, pasi ato ofrojnë mundësi për zhvillimin e kapaciteteve të personelit të burgjeve dhe shërbimit të provës, përmirësimin e mekanizmave dhe praktikave të brendshme dhe shkëmbimin e praktikave në nivel rajonal ose ndërkombëtar.