|||||||
Facebook
LinkedIn

BLOG: Mjedisi për shoqërinë civile në Shqipëri: Çfarë ndryshoi gjatë 2021?

Mjedisi për shoqërinë civile në Shqipëri: Çfarë ndyshoi gjatë 2021?

Autor: Dhimitraq Xhaçka, intern IDM

 

Në vendet demokratike, roli i shoqërisë civile është thelbësor në promovimin e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies. Prandaj, një hapësirë e fortë civile kontribuon në konsolidimin e demokracisë dhe nëse progresi në këtë drejtim ndalet, atëherë zvogëlimi i hapësirës civile bëhet një simptomë e prapësimit të procesit të demokratizimit.

Për të vlerësuar gjendjen e sektorit të shoqërisë civile në nivel global, USAID publikon çdo vit Indeksin e Qëndrueshmërisë së Organizatave të Shoqërisë Civile (CSOSI). Ai synon të vlerësojë statusin dhe tendencat e zhvillimit të shoqërisë civile dhe të krijojë një bazë njohurish për forcimin e saj, veçanërisht në vendet me demokraci të brishtë. Me fjalë të tjera, CSOSI shërben si një dokument referimi për adresimin e sfidave të ardhshme, si dhe për zhvillimin dhe konsolidimin e sektorit. Vlerësimi fokusohet në shtatë dimensione kyçe të qëndrueshmërisë: mjedisin ligjor, kapacitetin organizativ, qëndrueshmërinë financiare, advokimin, ofrimin e shërbimeve, infrastrukturën e sektorit dhe imazhin publik. Gjetjet e CSOSI i drejtohen një gamë të gjerë palësh të interesuara duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile (OSHC), aktivistët dhe grupet joformale, institucionet qeveritare dhe ato të pavarura, median, sektorin privat dhe donatorët e partnerët ndërkombëtarë të zhvillimit.

Për sa i përket Shqipërisë, CSOSI 2021 tregon që qëndrueshmëria e përgjithshme e sektorit të shoqërisë civile mbeti e pandryshuar në vitin 2021, megjithëse pati përkeqësime të lehta në dimensionet e mjedisit ligjor, advokimit dhe imazhit publik. Ndërkohë, qëndrueshmëria financiare kapaciteti organizativ, ofrimi i shërbimeve dhe infrastruktura e sektorit mbetën të pandryshuara. Vlen të përmendet se qëndrueshmëria financiare vazhdon të jetë dimensioni më i dobët i qëndrueshmërisë për OSHC-të në Shqipëri, ndërsa advokimi mbetet dimensioni më i zhvilluar, pavarësisht përkeqësimit të lehtë që pësoi në vitin 2021.

Përkeqësimi i mjedisit ligjor u shkaktua nga disa ndryshime të bëra në kuadrin ligjor që prek OSHC-të. Përjashtimi i OSHC-ve nga konsultimet dhe shqetësimet e ngritura për ligjin e ndryshuar së fundi për Regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse, si dhe shqetësimet për krijimin e Agjencisë për Median dhe Informim, përbëjnë disa nga shembujt në këtë drejtim. Liria e tubimit nga ana tjetër, u kufizua vazhdimisht dhe në disa raste edhe në mënyrë arbitrare. Për sa i përket mjedisit ligjor, përveç Serbisë, vendet e Ballkanit Perëndimor duket se kanë një performancë më të mirë se Shqipëria.

Nga ana tjetër, OSHC-të advokuan për një gamë të gjerë çështjesh gjatë vitit 2021 përmes proceseve gjyqësore, peticioneve, nismave legjislative, fushatave publike dhe mjeteve të tjera të angazhimit, siç ishte anketimi deliberative që u zhvillua për here të parë në Shqipëri. Peticioni i mbështetur gjerësisht për mbrojtjen e lumit Vjosa përbën një shembull të mirë në këtë aspekt. Nga ana tjetër, duke qenë se viti 2021 ishte vit zgjedhor, OSHC-të luajtën një rol të rëndësishëm në monitorimin e këtij procesi dhe raportimin e shkeljeve. Megjithatë, transparenca e kufizuar, konsultimet formale të qeverisë dhe kufizimet e vazhdueshme të COVID-19 minuan nismat e advokimit të OSHC-ve dhe aftësinë e tyre për të ndikuar në politikat publike gjatë viteve të fundit, duke rezultuar në një përkeqësim të lehtë në dimensionin e advokimit. Në nivel rajonal, Shqipëria shënon rezultatet të mira përsa i përket advokimit krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa tejkalohet nga Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina.

Imazhi publik i sektorit të OSHC-ve ishte një dimension tjetër që pati një përkeqësim të lehtë në vitin 2021. Kjo erdhi kryesisht si rezultat i sulmeve të vazhdueshme nga qeveria dhe media e ndikuar nga qeveria gjatë viteve të fundit. Për shembull, u raportuan fushata të egra kundër aktivistëve, gazetarëve dhe shoqërisë civile të karakterizuara nga një gjuhë diskriminuese, mizogjini, frikësim, kërcënime dhe madje edhe dhunë. Një tregues pozitiv në lidhje me imazhin ishte se publiku i percepton OSHC-të si institucionin e katërt vendas më të besuar në vend. Nga ana tjetër, lëvizjet e gjelbra që advokojnë për mbrojtjen e biodiversitetit dhe angazhimi aktiv i komuniteteve lokale që janë prekur nga projektet e mëdha infrastrukturore, ndikuan gjithashtu për mirë në imazhin e sektorit. Në nivel rajonal, Shqipëria ka shënuar rezultate të mira për sa i përket imazhit publik të OSHC-ve krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke u tejkaluar nga Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

Ndryshe nga tre dimensionet e trajtuara më sipër, qëndrueshmëria financiare, kapaciteti organizativ, ofrimi i shërbimeve dhe infrastruktura e sektorit mbetën të pandryshuara në vitin 2021.

Për sa i përket kapacitetit organizativ, sfida si mungesa e burimeve dhe infrastrukturës vazhduan të ndikojnë veçanërisht organizatat lokale, rurale dhe ato më të vogla, ndërkohë që shumica e burimeve kanalizohen drejt OSHC-ve më me përvojë, të konsoliduara dhe të vendosura në kryeqytet. OSHC-ve u mungon aksesi në mbështetje institucionale (core support) dhe në përgjithësi hasin vështirësi me qëndrueshmërinë e burimeve njerëzore, ndërkohë që po ndikohen si çdo sektor tjetër nga ‘’largimi i trurit’’ (brain drain). Misionet dhe planifikimi i tyre strategjik mbetën dytësorë ndaj prioriteteve apo agjendave aktuale të donatorëve dhe rritja e varësisë ndaj një ose disa donatorëve, i shtyn të fokusohen vetëm në aktivitetet me interes për donatorët. Sfidat organizative të OSHC-ve u ndikuan gjithashtu nga efektet e zgjatura të pandemisë. Për sa i përket kapaciteteve organizative, Shqipëria performon më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që është në të njëjtin nivel me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Për më tepër, as ofrimi i shërbimeve të OSHC-ve nuk ka ndryshuar krahasuar me vitin 2020. OSHC-të mbetën ofruesit privatë kryesorë të shërbimeve sociale në vend dhe gjatë vitit ofruan shërbime kritike shëndetësore dhe psikologjike, strehim, ndihmë ligjore dhe shërbime arsimore, veçanërisht për komunitetet e margjinalizuara dhe ato të prekura nga COVID-19. Shërbimet e tyre ndonjëherë zëvendësojnë ose plotësojnë ndërhyrjet e shtetit. Megjithatë, ofrimi i shërbimeve mbetet shumë i varur nga mbështetja e donatorëve, ndërsa mbështetja e qeverisë në këtë drejtim është e pamjaftueshme dhe shpesh është e vështirë për t’u aksesuar. Në nivelin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet me performancën më të mirë për sa i përket ofrimit të shërbimeve nga OSHC-të.

Në mënyrë të ngjashme, infrastruktura që mbështet sektorin e OSHC-ve mbeti kryesisht e pandryshuar. Shumica e aktiviteteve vazhduan të organizoheshin online, me përjashtim të disa aktiviteteve që u mbajtën fizikisht. Një tregues pozitiv ishte se OSHC-të kishin akses në asistencë teknike, mentorim, trajnim dhe skema nëngrantimi të ofruara nga organizata të ndryshme. Ata ndërtuan rrjete mes tyre, si dhe bashkëpunuan me grupe joformale aktivistësh, me median, universitetet dhe institucionet e pavarura. Bashkëpunimi ndërmjet OSHC-ve dhe qeverisë qendrore, asaj vendore apo sektorit privat mbeti i pamjaftueshëm. Përsa i përket infrastrukturës së sektorit, në rang rajonal, performanca e Shqipërisë dhe e Malit të Zi është më e ulët krahasuar me vendet e tjera.

Së fundi, edhe pse nuk pati ndonjë ndryshim të rëndësishëm në vitin 2021, qëndrueshmëria financiare e OSHC-ve mbeti dimensioni më i dobët. Pasojat e pandemisë COVID-19 dobësuan qëndrueshmërinë financiare të sektorit të shoqërisë civile, e cila ishte e rënduar ndërkohë edhe prej kuadrit të pafavorshëm ligjor dhe fiskal në Shqipëri. Mungesa e rimbursimit të TVSH-së për grantet është një shembull i cili vijon të ndikojë negativisht në operacionet dhe aktivitetet e OSHC-ve. Qëndrueshmëria financiare e OSHC-ve është përgjithësisht e dobët në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Kosova është vendi me performancën më të mirë.

Si përfundim, qëndrueshmëria e përgjithshme e OSHC-ve në Shqipëri duket se është më e dobët në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, por pak më mirë krahasuar me Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi.