sqen

Monitorimi i RAP 2019/2020: Ofruesit e shërbimeve administrative duhet të publikojnë rregullisht përmbajtjen e sugjerimeve të qytetarëve

Rezultate nga Monitorimi i RAP 2019/2020: Ofruesit e shërbimeve administrative duhet të publikojnë rregullisht përmbajtjen e sugjerimeve të qytetarëve

Rezultatet e reja nga anketimi mbi perceptimin publik tregojnë se ka më pak mundësi të lehta për t’u përdorur për marrjen e mendimeve mbi shërbimet administrative, krahasuar me Monitorimin e Reformës në Administratën Publike (RAP) 2017/2018. Ndërkohë, opinioni publik për përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në monitorimin e shërbimeve është rritur dukshëm. Sa i takon marrjes së informacionit mbi mendimet e dhëna nga qytetarët, portalet e ofruesve të shërbimeve administrative nuk janë më të mira se më parë. Përgjithësisht, informacionet mbi mendimet e marra mungojnë në faqet e tyre të internetit, edhe në formën e tyre më elementare.   

Publiku e sheh më të vështirë përdorimin e kanaleve për dhënien e mendimeve, por sheh  ndikime pozitive nga monitorimi i jashtëm i ofrimit të shërbimeve 

Anketimet mbi perceptimin tregojnë se afërsisht gjysma e popullatës së Ballkanit Perëndimor e sheh të mundshme dhënien e opinioneve mbi cilësinë e shërbimeve. Ky perceptim është rritur me thuajse 20% që nga Monitorimi i RAP-it 2017/2018.[1] Afro një e treta e qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës mendojnë kësisoj, ndërsa në të gjitha vendet e tjera, ky mendim ndahet nga mbi 50% e popullsisë.  

Për sa i përket lehtësisë së përdorimit të kanaleve për dhënien e mendimeve, gjërat duken të jenë përkeqësuar. Një rast befasues është ai i Shqipërisë, ku 42% më pak e të anketuarve mendojnë se kanalet për dhënien e mendimeve janë të lehta për t’u përdorur. Në katër nga vendet shënohet rënie prej 30 pikë në përqindje, ose më tepër.

Më shumë qytetarë në rajon ndjehen të përfshirë, sëbashku me shoqërinë civile, në monitorimin e ofrimit të shërbimeve nga administratat publike (42% krahasuar me 26% më herët). Kjo ka sjellë  gjithashtu rritjen e perceptimit se përfshirje të tilla kanë përmirësuar ofrimin e shërbimeve. Diferenca shkon deri në +20 pikë në përqindje në rastet e Kosovës e Bosnje-Hercegovinës.  

Ofruesit e shërbimeve vazhdojnë të ngurrojnë në nxjerrjen e detajeve mbi sugjerimet e qytetarëve

Ka një mungesë të përgjithshme transparence rreth informacionit të ndarë nga sugjerimet e qytetarëve. Siç tregoi edhe Monitorimi bazë i RAP-it, ofruesit e shërbimeve pothuajse nuk ndajnë asnjë informacion të tillë në lidhje me pesë shërbimet e më të përdorshme administrative. Këto të fundit përfshijnë regjistrimin e pronës, biznesit dhe automjeteve, si dhe përftimin e dokumenteve personale dhe deklarimin e pagesës së TVSH-së.

Gjithsesi, disa ofrues shërbimesh sapo kanë filluar të publikojnë informacione në disa fusha – në Shqipëri, për regjistrimin e mjeteve, dhe në Serbi, ka disa të dhëna bazike mbi numrin e ankesave të marra dhe të zgjidhura për sa i përket regjistrimit të bizneseve.

Në tërësi, pa transparencë për mendimet e dhëna dhe mënyrën se si këto të fundit përdoren, ofrimi i shërbimeve i përqëndruar tek qytetarët është i vështirë për t’u realizuar. Ofrimi i detajeve mbi ndjesitë e përdorimit të shërbimeve nga qytetarët duhet të bëhet një praktikë e zakonshme, por përkundrazi, ai po shfaqet me rezultate të dobëta për të dytin cikël monitorimi me radhë. Përgjithësisht, Monitorimi i RAP-it 2019/2020 ka shënuar pak ndryshime të mëdha dhe njëfarë regresi në të dyja shtetet.

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] Ashtu si në Monitorimin e RAP-it 2017/2018, perceptimi publik mbi ndërgjegjësimin dhe dobishmërinë e mekanizmave të dhënies së mendimeve dhe marrja e informacionit për mendimet e qytetarëve, janë matur përmes anketimeve të perceptimit publik të kryera në të njëjtën mënyrë, në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Anketimet u zhvilluan përgjatë periudhës 5 – 30 maj 2020.