sqen

Krijohen Grupet Këshillimore për Shkollën Qendër Komunitare|Shtator 2020

Krijohen Grupet Këshillimore për Shkollën Qendër Komunitare

 

Stakeholders meeting at "Dom Nikoll Kacorri" high school, Durres
Takimi me aktoret vendore ne shkollen e mesme “Dom Nikoll Kacorri” Durres

Përgjatë shtatorit 2020 u zhvilluan një sërë takimesh në qytetet ku zbatohet projekti “Shkolla Qendër Komunitare”, me synim krijimin e Grupeve Këshillimore për Shkollën Qendër Komunitare. Pjesë e takimeve në Kashar, Durrës, Manëz, Shijak, Vorë, Peqin, Krujë dhe Fushë-Krujë ishin përfaqësues nga Bashkia, Komisariati i Policisë, Zyra Vendore Arsimore, komuniteti fetar, komuniteti i prindërve, të rinjtë dhe stafi i shkollave.

Ngritja e Grupit Këshillimor SHQK ka në thelb kontributin në mbarëvajtjen e aktiviteteve për të rinjtë, përmes shkëmbimit të informacionit në mënyrë të vazhdueshme dhe të mendimeve apo ideve të reja që mund të vijnë nga të gjithë aktorët e përfshirë në grup. Një marrëdhënie e shëndetshme midis mësuesve, prindërve, nxënësve, policisë dhe aktorëve të tjerë të komunitetit është e rëndësishme, pasi kjo do të lejojë që të gjithë të punojnë në mënyrë harmonike së bashku, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e nxënësve.

Komuniteti është përfituesi kryesor i një sistemi të suksesshëm arsimor. Ndaj, një bashkëpunim efektiv dhe i vazhdueshëm midis aktorëve të ndryshëm ndërton një komunitet më të fortë duke i përgatitur të rinjtë të jenë anëtarë të suksesshëm të komunitetit të tyre.

Takimi me aktoret vendore ne shkollen e mesme “Isa Boletini” Vore

Të gjithë aktorët e Grupit Këshillimor për Shkollën Qendër Komunitare do të bashkëpunojnë për planifikimin dhe ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm ku të rinjtë rrisin aftësitë e tyre, të mësuarit dhe angazhimin në nisma komunitare.

Nga ana tjetër, përmes Grupeve Këshillimore SHQK prindërit mund të adresojnë shqetësimet dhe sugjerimet e tyre për një mjedis bashkëpunues. Për më tepër, mund të ndihmojnë në monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të kurrikulës, veçanërisht duke u bërë pjesë aktive në organizimin e aktiviteteve sociale dhe kulturore.

Përmes ngritjes dhe aktivizimit të Grupeve Këshillimore SHQK, IDM synon forcimin e marrëdhënieve multi-aktoriale në komunitet, ku bashkëpunimi midis palëve të ndryshme do të krijojë mundësi të reja për adresimin e nevojave të të rinjve dhe të mjedisit ku ata jetojnë.

Këto takime zhvillohen në kuadër të projektit “Ndërtimi i një komuniteti të qëndrueshëm nëpërmjet modelit “Shkolla Qendër Komunitare” zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për më shumë info rreth aktiviteteve të këtij projekti vizitoni: www.shkollaime.org 

#SHQK #PerKomunitetin