Konferencë kombëtare për menaxhimin e emergjencave civile

 

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) organizoi më datë 6 Mars 2015 konferencën “Menaxhimi i Emergjencave Civile në Shqipëri”, pjesë e projektit trepalësh midis IDM, Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë dhe Qendrës së Kosovës për Studime për Sigurinë, mbështetur nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë.

Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, qarqeve akademike, institucioneve shkencore të vendit dhe organizatave joqeveritare. Ajo u çel nga Zoti Sotiraq Hroni, Drejtor Ekzekutiv i IDM dhe Zoti Shemsi Prençi, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile (DPEC). Në dy panelet pasues, u trajtuan respektivisht problemet para-emergjencë dhe veprimet reaguese në emergjencë. Në panelin e parë merrnin pjesë Prof.Dr. Përparim Hoxha, Dekan i Fakultetit të Gjeologji-Minierave (UPT), Prof.Dr. Petrit Zorba, Departamenti i Klimatologjisë dhe Mjedisit, në Institutin e Gjeoshkencave, Prof.Dr. Niko Pano, punonjës shkencor në Institutin e Gjeoshkencave, Z.Foto Duro, studiues në IDM. Ky panel u moderua nga Z.Arjan Dyrmishi, Drejtor i Qendrës për Çështjet Europiane dhe të Sigurisë në IDM. Në panelin e dytë morën pjesë Z.Alfred Olli, Ish-Drejtori DPEC, Z. Dilaver Laçi, Ish-Drejtor i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Kolonel Ahmet Leka, Shef i Qendrës Operacionale të Forcave të Armatosura (FASH), Z.Arben Molla, Oficer ndërlidhës midis DPEC dhe FASH dhe Zoti Fatos Xhengo, koordinator pranë Kryqit të Kuq Shqiptar. Ky panel u moderua nga Z.Foto Duro.

Konferenca konstatoi se Shqipëria mbetet një vend vulnerabël, objekt i të paktën një fatkeqësie madhore në vit, me humbje ekonomike që llogariten në rreth 2.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, humbje këto shumë më të larta se mesatarja e rajonit prej rreth 1%.

Mungesa e një platforme kombëtare për menaxhimin e emergjencave civile, qasjet e ndryshme të institucioneve përgjegjëse, fokusimi më shumë tek reagimi dhe jo aq tek masat parandaluese kanë mundësuar përsëritjen ciklike të situatave të emergjencës dhe efekteve të tyre mbi ekonominë e vendit.

Diskutantët i mëshuan faktit që Shqipëria zë vendin e 37 në Botë për përmbytjet, të 41 për shkarjet e dheut, të 43tin për tërmetet dhe të 56tin për temperaturat e nxehta të tejzgjatura. Këtë e rëndojnë më tej “faktorët shtesë të rrezikut” që lidhen me zhvendosjet e popullsisë dhe urbanizimin kaotik gjatë tranzicionit shqiptar, injorimin e kodeve dhe zonave të ndërtimit, abuzimin me mjedisin etj. Nga ana tjetër, për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve, masat për reagim ndaj fatkeqësive dhe ringritje mbeten ende të varura në një masë të madhe nga mbështetja e jashtme.

Në konferencë u shtrua me forcë nevoja e ripunimit të kuadrit ligjor e planeve, për një ndarje më të qartë të detyrave të institucioneve përgjegjëse, por edhe futja e një kulture të re sigurie dhe qëndrueshmërie ndaj katastrofave natyrore jo vetëm në të gjitha nivelet e institucioneve, por edhe tek popullsia shqiptare në tërësi.

 

IMG_2328 IMG_2329 IMG_2343 IMG_2345 IMG_2359

Facebook
LinkedIn

Aktivitete të ngjashme

Thirrje për Shprehje Interesi për Përfshirje në Platformën Konsultuese për Agjendën e Reformave 2024–2027

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në kuadër të projektit rajonal WB Reform and Growth Monitor, që zbatohet nga rrjeti

Monitorimi i Reformës në Administratën Publike për Shqipërinë 2024/2025

Në ciklin e katërt radhazi të monitorimit, “Monitorimi RAP për Shqipërinë 2024/2025” paraqet rezultatet e monitorimit të Reformës në Administratën

Forumi Parlamenti për Qytetarët: Forcimi i Demokracisë Pjesëmarrëse dhe Përgjegjshmërisë Parlamentare

Më 26 mars 2025, në Hotel Rogner, Tiranë, u zhvillua Forumi Parlamenti për Qytetarët, duke mbledhur deputetë, staf parlamentar, ekspertë