19 Shtator 2014; Hotel Tirana Internacional
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, organizoi në datën 19 Shtator 2014, tek Hotel Tirana Internacional, konferencën me titull “Drejtësia dhe siguria si faktorë bashkëpunimi rajonal”. Konferenca është pjesë e Forumit të Hulumtimeve mbi Sigurinë: “Beograd-Prishtinë-Tiranë”, projekt i përbashkët tre-vjeçar i tre organizatave: Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Konferenca pati si qëllim analizimin e nivelit aktual të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Serbisë në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, si pjesë e procesit për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Duke pasur parasysh ekzistencën e disa nismave dhe platformave për nxitjen e bashkëpunimit rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi dypalësh mes Shqipërisë dhe Serbisë akoma mbetet i pazhvilluar. Kryesisht ky është rezultat i mosmarrëveshjeve lidhur me statusin e Kosovës, së bashku me një mosbesim të trashëguar. Veçanërisht i pazhvilluar ka mbetur bashkëpunimi në fushën e sigurisë, ndërsa fushat e tjera si tregtia, energjia, transporti, etj. kanë përjetuar njëfarë progresi.
Panelistët e kësaj konference ishin: Sokol Dervishaj, zv. Ministër i Punëve të Jashtme; Elona Gjebrea, zv.
Ministre e Punëve të Brendshme; Ilirjan Xhezo, Drejtor pranë Ministrisë së Integrimit Evropian; Lisen Bashkurti, ish ambasador dhe President i Akademisë Diplomatike Shqiptare, dhe Foto Duro, ekspert, IDM.
Panelistët u fokusuan në nevojën për të përforcuar paqen rajonale, si një element thelbësor për prosperitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Ndërkohë që Shqipëria dhe Serbia përballen me sfida të përbashkëta, si krimi i organizuar, terrorizmi ndërkombëtar, etj, të dy vendet duhet të ecin drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, duke lënë pas trashëgiminë historike dhe duke pranuar dhe ndërtuar një dialog konstruktiv, i cili shkon përtej realitetit aktual. Për më tepër, dialogu, mirëkuptimi dhe pranimi i këtij realiteti te ri ku jetojmë sot do të kontribuojnë në tërësi në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Një rajon i qëndrueshëm dhe i sigurt do të mundësojë një tërheqje më të madhe të investimeve të huaja, si dhe përfitime reciproke për të gjithë qytetarët.
Ndërkohë, nevojitet që Shqipëria dhe Serbia të çlirohen nga fobitë dhe autofobitë ekzistuese – sikurse nënvizoi z. Bashkurti – të cilat vërehen kryesisht në tre dimensione: frika nga dija, trashëgimi i urrejtjes dhe armiqësisë. Të gjitha këto dimensione janë derivate të mungesës së komunikimit dhe dialogut midis qytetarëve. Gjatë punimeve të konferencës u vu në dukje se deri tani, në marrëdhëniet shqiptaro-serbe vërehet një diplomaci publike e dobët dhe e fragmentuar, ku retorika dhe propaganda kanë çuar në një nivel të lartë skepticizmi. Mungesa e një dialogu të nivelit të lartë midis kryetarëve të qeverive të dy vendeve, që prej 1946, ka krijuar një vakum të madh, i cili më pas ka influencuar në krijimin e instrumenteve juridikë dypalësh. Çdo dialog i kryer në fushën e politikës së jashtme duhet të formalizohet me nënshkrimin e instrumenteve juridikë, të cilët jo vetëm që zyrtarizojnë marrëdhënien, por gjithashtu kontribuojnë në arritjen e rezultateve konkrete.
Si përfundim, panelistët njohën kontributin e organizatave të shoqërisë civile në rigjallërimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Aktivitetet që këto organizata kanë kryer deri më tani, kanë nxjerrë në pah jo vetëm rolin e tyre të domosdoshëm në këtë proces, por edhe potenciale të tjera që mbeten akoma për tu shfrytëzuar.