Indeksi i Integritetit të Zgjedhjeve Vendore të 21 Qershorit 2015
Tiranë, 21 Shtator 2015
Prezantimi i Raportit të Indeksit të Integritetit të Zgjedhjeve (IIZ), mblodhi sot përfaqësues të shoqërisë civile, aktorët ndërkombëtarë dhe mediat, për të dhënë vlerësimin e cilësisë së zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit 2015 nga organizatat e shoqërisë civile (OSHC) Shqiptare. Për herë të parë, ky raport shpreh një zë të konsoliduar të aktorëve vendas dhe përbën një alternativë të vlerësimeve nga monitoruesit ndërkombëtarë, por ndryshe nga këto vlerësime krijon një model më gjithëpërfshirës për vlerësimin e zgjedhjeve.
IIZ është hartuar nga një grup ekspertësh te IDM-se në kuadër të angazhimit me Dhomën Zgjedhore të mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Qëllimi i IIZ është të kontribuojë në përmirësimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe fuqizojë përfshirjen e shoqërisë civile në proceset demokratike në vend. Avantazhi i këtij modeli është se shmang qasjen bimodale të raporteve ndërkombëtare si të mira ose të këqija dhe ofron një mundësi vlerësimi më të mirë të progresit apo regresit në menaxhimin e zgjedhjeve.
Në fjalën e hapjes e Znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri dhe Koordinatore e Kombeve të Bashkuara, e konsideroi Indeksin e Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri si një mjet të rëndësishëm që synon vendosjen e standardeve të larta për të cilat Shqipëria ka nevojë dhe i meriton. Ajo u shpreh shumë e kënaqur që Kombet e Bashkuara po kontribuojnë për arritjen e këtij qëllimi.
Ndërsa Z. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv, OSFA në fjalën e tij theksoi rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në përmirësimin e cilësisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Ai vlerësoi krijimin e një Indeksi të tillë për herë të parë në Shqipëri dhe mbështetjen e mëtejshme në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.
Lidhur me IIZ , dha një kontribut të rëndësishëm edhe Prof. Stephen Whitefield, Profesor i Universitetit të Oksfordit prezantoi një qasje krahasimore të Indeksit të Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri me ato të vendeve të tjera të rajonit dhe të vendeve të OECD-së. Sipas Prof. Whitefield, vlerësimi i integritetit Zgjedhor siguron një mjet të ri të vlefshëm për të vlerësuar cilësinë e demokracisë vendore dhe për të bërë dallimet e detajuara mbi çështjet kyçe të dobësive dhe pikave të forta në ciklin zgjedhor.
Studiuesi kryesor i këtij raporti Z. Arjan Dyrmishi bëri prezantimin e strukturës dhe metodologjisë së raportit. Vlerësimi i zgjedhjeve sipas IIZ është kryer duke u mbështetur në 11 indikatorë dhe 47 tregues të përformancës për secilin indikator. Indikatorët mbulojnë periudhën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe periudhën pas zgjedhore.
Indikatorët e vlerësimit janë: Ligjet Zgjedhore; Procedurat Zgjedhore; Kufijtë e zonave zgjedhore; Regjistrimi i Votuesve; Regjistrimi i Partive Politike; Mbulimi i Fushatës nga Media; Financat e Fushatës; Procesi i Votimit; Numërimi i Votave; Pas-zgjedhjeve; Autoritetet Zgjedhore.
Indikatorët vlerësohen me shkallë nga 1, që përbën shkallën më të ulët të performancës, në 4 që është shkalla më e lartë. Përveç vlerësimit numerik Indeksi jep dhe trendin e ecurisë për secilin indikator sipas një kategorizimi me ngjyra i cili i korrespondon edhe katër vlerësimeve: dobët (1), mjaftueshëm (2), mirë (3), shumë mirë (4).
Raporti i plotë i Indeksit të Integritetit të Zgjedhjeve mund të shkarkohet në kategorinë e publikimeve të IDM.