Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Instituti Demokratik Amerikan – zyra e NDI në Shqipëri organizuan më datë 22 prill 2016, tryezën e diskutimit mbi mënyrat për të përmirësuar angazhimin politik dhe civil në Shqipëri me përfaqësues të shoqërisë civile, partive politike, partnerët ndërkombëtarë dhe medias. Në këtë takim u prezantuan gjetjet e studimit të realizuar në fillim të vitit 2016 nëpërmjet anketimit dhe grupeve të fokusuara në të gjithë vendin të cilat kanë shqyrtuar angazhimin qytetar në proceset demokratike si një indikator të ‘shëndetit’ të shoqërisë.
Forume diskutimi mbi gjetjet e këtij studimi u organizuan më pas gjatë muajit Prill edhe me studentë, përfaqësues të rretheve akademike, shoqërisë civile, pushtetit vendor, medias dhe partive politike në Durrës (Universiteti Aleksandër Moisiu) dhe Shkodër (Qendra e Informimit e BE).
Raporti i sondazhit “Analizë e angazhimit politik 2016” është një studim bazë që realizohet për herë të parë në Shqipëri sipas modelit të serisë së raporteve të Hansard Society (‘Audit of Political Engagement’) në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky studim është mbështetur nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI) nëpërmjet Ndihmës Amerikane për Demokraci (NED).