Skip to content Skip to footer

Forumi Hulumtues i Sigurisë Prishtinë-Beograd-Tiranë “Mbrojtja Civile dhe Menaxhimi Rajonal i Emergjencave”

Konferencë e përbashkët rajonale: Forumi Hulumtues i Sigurisë Prishtinë-Beograd-Tiranë

“Mbrojtja Civile dhe Menaxhimi Rajonal i Emergjencave”

Data: 29 Prill 2015

Vendi: Hotel Sirius, Prishtinë, Kosovë

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP)  kanë mbajtur konferencën e përbashkët rajonale “Forumi Hulumtues i Sigurisë: Prishtinë – Beograd–- Tiranë:  Mbrojtja Civile dhe Menaxhimi Rajonal i Emergjencave”

Në këtë konferencë është lansuar publikimi i përgatitur nga BCSP dhe monitoruar nga QKSS me titull  “E ardhmja e ‘Mbrojtjës Civile’ në pjesën veriore të Kosovës.” Procesi i shpërbërjes së “Mbrojtjes Civile” në veri të vendit ngërthen në vete një mungesë totale të transparencës nga ana e Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Institucioneve të BE-së.

Hulumtimi ka paraqitur në formë të thukët mbështetjen dhe kontrollimin e “Mbrojtjës Civile” nga ana e Qeverisë së Serbisë si dhe diskursin e muajve të fundit i cili rezultoi në shpërbërjen e këtij formacioni. Megjithatë, afatet fillestare tregojnë për vonesë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Hulumtimi ka identifikuar një personel prej 751 pjesëtarëve të formacionit “Mbrojtja Civile” pjesa kryesore e së cilit ishte mbipopulluar gjatë dy viteve të fundit. Edhe pse hulumtimi ka gjetur që marrëveshja e arritur pasqyron premtim të Qeverisë së Kosovës për integrimin e 483 pjesëtarëve në institucionet e Kosovës në institucionet publike, ende nuk është e qartë se ku dhe si do të sistemohen pjesa më e madhe e tyre. Përderisa sistemimi i një pjese të vogël të tyre në njësitet e zjarrfikësve dhe shërbimin korrektues është më i qartë, në anën tjetër ka paqartësi lidhur me sistemin e tyre në institucionet tjera publike. Nuk dihet se cilat janë kapacitetet financiare të Qeverisë së Kosovës për integrimin e këtyre pjesëtarëve. Tutje, nuk ka qartësi se a do të i nënshtrohen këta pjesëtarë ndonjë programi trajnues me qëllim të ngritjes së njohurive me legjislacionin dhe politikat e Republikës së Kosovës.

Poashtu, mungon një plan për ri-integrimin e pjesëtarëve të mbetur (268) në jetë civile apo biznes, bazuar në modelet e ngjajshme në të kaluarën. Mungesa e një plani ri-integrues mund të ketë reagime sociale e të sigurisë nga grupe të pakënaqura. Hulumtimi poashtu ka identifikuar që marrëveshja për shpërbërjen e formacionit “Mbrojtja Civile” selektivisht prek vetëm katër komunat në veri përderisa ende nuk dihet se çka do të ndodh me rreth 200 pjesëtarë tjerë të këtij formacioni që vazhdojnë të paguhen dhe veprojnë në zonat qendrore dhe lindore të Kosovës të banuara me popullatë serbe.

Ekipi hulumtues ka dhënë një varg rekomandimesh dhe alternativash në funksion të zbatimit sa më të shpejtë dhe më të mirë të marrëveshjes për “Mbrojtjen Civile”.

Në panelin e dytë janë paraqitur gjetjet e dy hulumtimeve mbi Menaxhimi i Emergjencave dhe Mundësitë e Bashkëpunimit Rajonal nga QKSS dhe IDM. Në konferencë hulumtuesit e të dyja organizatave theksuan që Menaxhimi i Fatkeqësive dhe Emergjencave është një nga fushat që medoemos kërkon ndërtimin e partneritetit në mes të shteteve me qëllim të zvogëlimit të fatkeqësive të mundshme si dhe menaxhimit sa më efektiv të tyre.

Hulumtuesi i IDM, Foto Duro theksoi që humbjet nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri shkaktojnë humbje e 2% të GDP totale. Ai theksoi nevojën që të merren masat e parandalimit të humbjeve të mëdha duke e ngritur vetëdijen e qytetarëve në institucionet arsimore mbi mënyrën se si të mbrohen në rast të ndonjë fatkeqësie.

Hulumtuesja e QKSS, Sofije Kryeziu theksoi që përkundër sfidave dhe problemeve të shumta më të cilat përballën njësitë e zjarrfikësve, megjithatë ata gëzojnë besimin e qytetarëve të Kosovës. Nga rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) të viteve 2012, 2013 dhe 2014 zjarrfikësit janë vlerësuar ndër institucionet më të besuara të sigurisë. Në tre vitet e fundit, mesatarja e të anketuarve që u besojnë këtyre njësive është rreth 65%.

Në anketën e Barometrit Rajonal të Sigurisë të vitit 2013 e bërë në tre shtetet (Shqipëri, Kosovë dhe Serbi) nga të tre organizatat respodentët janë pyetur nëse në rast të katastrofave natyrore do duhej të pranojmë ndihmën nga njëri-tjetri. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, të anketuarit nga Kosova kanë qenë më ngurrues në pranimin e ndihmës humanitare nga Serbia në rast të fatkeqësive natyrore me 48% kundrejt 45% ishin në favor të pranimit të ndihmës në rast të një fatkeqësie të mundshme. Në anën tjetër, 59% e të anketuarve serbë do të pranonin ndihmë nga Kosova, kundrejt 57% të tyre nga Shqipëria. Në rastin Kosovë – Shqipëri, shifrat janë të ndryshme, ku 96% e qytetarëve të Kosovës kanë qenë në favor të pranimit të ndihmës nga ana e Shqipërisë në rast të ndonjë fatkeqësie.

Kosova ka bashkëpunim përgjithësisht të mirë me Shqipërinë. Ka të nënshkruara marrëveshje trepalëshe bashkëpunimi si me Shqipërinë ashtu edhe me Maqedoninë. Deri me tani Kosova e ka asistuar Shqipërinë në raste të fatkeqësive të ndodhura në pesë vitet e fundit. Po ashtu sa i përket përgatitjes profesionale, një pjesë e trajnimeve organizohen së bashku ndërmjet të dyja shteteve por edhe shteteve tjera në rajon. Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mungon shkaku i çështjeve politike. Edhe pse, Kosova dhe Serbia kanë interesa të përbashkëta mbi problemet lidhur me menaxhimin e fatkeqësive dhe rrezikut, kompleksiteti i situatës politike e bën bashkëpunimin më të vështirë.

Në konferencë pati pjesëmarrës të shumtë ndër ta edhe Ministria për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri e cila mbajti një prezantim të shkurtër, si dhe pati përfaqësues të ndryshëm nga Ambasadat, Agjencia për Menaxhimin Emergjent, përfaqësues të shoqërisë civile, media dhe student.

Publikimi  “Menaxhimi e Fatkeqësive dhe Emergjencave në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë dhe potenciali për bashkëpunim” do te publikohet së shpejti në faqen e internetit te IDM.

kosovo pic kosovo pic 2