Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), ju fton të merrni pjesë në trajnimin “Parandalimi i Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm : Rehabilitimi dhe Riintegrimi i të kthyerve nga zonat e konfliktit”, i cili do të organizohet më datë 26 janar, ora 10:00- 14:30, në ambientet e Hotel Mondial, Tiranë. Qëllimi i trajnimit është rritja e kapaciteteve të punonjësve të policisë në lidhje me zhvillimin dhe zbatimin e proceseve rehabilituese dhe riintegruese për të kthyerit nga zonat e konfliktit. Fokusi i trajnimit do të jetë përmbajtja e manualit “ Parandalimi i Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm : Rehabilitimi dhe Riintegrimi i të kthyerve nga zonat e konfliktit nëpërmjet policimit në komunitet”, të hartuar në bashkëpunim me Departamentin për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Qendrën CVE. Ky dokument është konceptuar si një instrument praktik, i cili ofron udhëzime konkrete që lehtësojnë punën e punonjësve të policisë në forcimin e qëndresës komunitare ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Bazuar në dinamikën dhe kompleksitetin e fenomenit të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ky material është ndërtuar duke patur parasysh ndërhyrjen përmes “qasjes së butë”. Në këtë trajnim janë të ftuar të marrin pjesë rreth 20 oficerë të policisë nga strukturat e policimit në komunitet, specialistë të policisë së zonës, mundësisht nga bashkitë e projektit: Tiranë, Kavajë, Pogradec, Librazhd, Cërrik, Mat, Kukës, Shkodër si dhe përfaqësues të policisë në nivel Drejtorie Qarku. Duke vlerësuar rolin tuaj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij trajnimi. Trajnimi organizohet në kuadër të programit “Riintegrimi i qëndrueshëm në komunitet i shtetasve shqiptarë të kthyer nga Siria. Ky program po zbatohet në Shqipëri nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve dhe Qendrën e Gruas për Zhvillim dhe Kulturë në Shqipëri, nën koordinimin kombëtar të Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me mbështetjen e Fondit Global të Angazhimit dhe Qëndrueshmërisë së Komunitetit (GCERF).
Për programin e plotë të trajnimit dhe ekspertët që do të marrin pjesë kliko këtu.
Ju bëjmë me dije se, ky aktivitet do të zhvillohet në përputhje me protokollin anti Covid-19. Për këtë arsye, të gjithë të ftuarit janë të lutur të respektojnë masat parandaluese dhe mbrojtëse anti-Covid-19.
Ju mirëpresim!