Facebook
Mail

Forumi Parlamenti për Qytetarët: Forcimi i Demokracisë Pjesëmarrëse dhe Përgjegjshmërisë Parlamentare

Gjatë dy viteve të fundit, projekti “Rritja e Përgjegjshmërisë së Parlamentit ndaj Shqetësimeve të Qytetarëve”, i zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), AIS dhe Citizens Channel me mbështetjen e Qeverisë Britanike, ka forcuar marrëdhënien mes Parlamentit të Shqipërisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve. Përmes mjeteve inovative të pjesëmarrjes dhe angazhimit për ndërtimin e kapaciteteve, projekti ka adresuar disa nevoja kryesore në llogaridhënien parlamentare, duke nxitur një angazhim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë të publikut.

Forumi Parlamenti për Qytetarët shërben si një platformë për të reflektuar mbi këto arritje, për të konsoliduar mësimet e nxjerra dhe për të eksploruar mënyrat e institucionalizimit të praktikave pjesëmarrëse në sistemin parlamentar shqiptar. Forumi do të mbledhë së bashku deputetë, staf parlamentar, ekspertë ndërkombëtarë, shoqërinë civile, gazetarë, përfaqësues të akademisë dhe qytetarë aktivë për të diskutuar mbi mënyrat se si këto nisma mund të formësojnë një Parlament më gjithëpërfshirës dhe të përgjegjshëm.

Pavarësisht rolit të tij qendror në një sistem demokratik, Parlamenti shpesh has vështirësi në angazhimin kuptimplotë me qytetarët, duke ndikuar kështu në besimin e publikut tek institucionet. Ndërhyrja në fjalë ka adresuar këtë sfidë përmes:

  • Përdorimit të mjeteve të demokracisë deliberative, siç janë Panelet e Qytetarëve, duke u mundësuar qytetarëve të kontribuojnë drejtpërdrejt në procesin e vendimmarrjes parlamentare.
  • Fuqizimit të procesit të trajtimit të peticioneve, duke ofruar rekomandime për përmirësimin e procedurave parlamentare dhe duke zhvilluar një format standard të peticioneve për qytetarët.
  • Përmirësimit të mbikëqyrjes parlamentare, duke pajisur deputetët, stafin parlamentar, organizatat e shoqërisë civile dhe gazetarët me aftësitë për të marrë pjesë më efektivisht në monitorimin legjislativ, seancat dëgjimore publike dhe mbikëqyrjen e buxhetit.
  • Lehtësimit të angazhimit parlamentar përmes dëgjesave publike, veçanërisht mbi shqetësimet e qytetarëve nga rajone të nënpërfaqësuara ose vulnerabël në të gjithë vendin.

Ky takim vjetor do të prezantojë arritjet e projektit, do të vlerësojë ndikimin e tij në përgjegjshmërinë parlamentare dhe do të eksplorojë mënyrat për institucionalizimin e mekanizmave pjesëmarrës. Forumi do të konsolidojë këto arritje dhe do të sigurojë që qasja pjesëmarrëse të bëhet një element i qëndrueshëm i sistemit parlamentar shqiptar. Si Forumi i dytë vjetor, ai thekson nevojën që Parlamenti t’i integrojë zyrtarisht këto aktivitete në kalendarin e tij institucional. Më shumë sesa një reflektim mbi arritjet kryesore, kjo platformë shërben si një thirrje për veprim, duke synuar garantimin e qëndrueshmërisë së këtyre nismave.

Etiketa: