Facebook
Mail

Dëgjesë për Rekomandimet e Paneleve Qytetare mbi Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve – 11 Dhjetor 2024

Në Ditën Ndërkombëtare të Maleve – 11 dhjetor 2024 – Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Parlamentar për Veprimtari Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin organizojnë një dëgjesë për rekomandimet e Paneleve Qytetare mbi Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve.

Dëgjesa organizohet në frymën e Ditës Ndërkombëtare të Maleve, e cila vë në pah mundësitë dhe sfidat në zhvillimin malor dhe ndërton aleanca që sjellin ndryshime pozitive për njerëzit dhe komunitetet malore.[1] Zonat malore në vend përfaqësojnë një pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore, potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, veçanërisht të turizmit malor. Megjithatë, ato përballen me sfida të mprehta të tilla si shpopullimi, varfëria, ndryshimet klimatike, etj., që kërcënojnë jo vetëm mirëqenien e banorëve, por edhe ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë së komuniteteve malore.

Turizmi malor, si një prioritet strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm, ishte një nga tematikat kryesore të ‘Paneleve qytetare’[2]. Ky aktivitet bëri bashkë qytetarë nga zona të ndryshme të vendit, të cilët diskutuan si dhe rekomanduan masa konkrete për zhvillimin e turizmit malor. Diskutimet u fokusuan në: ndikimin ekonomik dhe kuadrin rregullator mbështetës për turizmin rural dhe malor; diversifikimin e shërbimeve turistike dhe rivitalizimin e zonave rurale dhe malore; si dhe qëndrueshmërinë mjedisore duke i dhënë mundësinë qytetarëve pjesëmarrës të angazhoheshin në një proces të thelluar dhe informuar konsultimi. Në përfundim, aktiviteti gjeneroi një listë prej 10 prioritetesh dhe rekomandimet përkatëse me qëllim bashkë-formimin e politikave të turizmit malor.

Qëllimi i degjesës është sinkronizimi i dy zhvillimeve paralele të rëndësishme për zhvillimin e turizmit malor. Nga njëra anë – nismën e Qeverisë ende të papublikuar të njohur si “Paketa e Maleve” dhe, nga ana tjetër, sintezën e një eventi të rëndësishëm të “Paneleve Qytetare” mbi turizmin malor. Kjo sinergji është e domosdoshme për të siguruar që programi qeveritar adreson sfidat e zonave malore përmes integrimit të perspektivës qytetare mbi prioritetet dhe masat konkrete për zhvillimin e turizmit malor.

Realizimi i suksesshëm i dëgjesës do të forcojë politikat për zhvillim të qëndrueshëm në këto zona përmes pjesëmarrjes qytetare dhe bashkëformimit të politikave.

[1] UN, International Mountain Day. https://www.un.org/en/observances/mountain-day

[2]Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), së bashku me Involve UK, zbatoi metodologjinë deliberative të “Paneleve Qytetare: Një mënyrë e re për t’u angazhuar në proceset Parlamentare” për çështjet e zhvillimit të turizmit rural dhe malor gjatë datave 17-19 tetor 2024. Në vijim gjenden dy video përmbledhëse të aktivitetit: https://youtu.be/6pIëb6F0uBë dhe https://youtu.be/lbë4IoQQ_pI. Kjo nismë është në kuadër të projektit “Rritja e përgjegjshmërisë së parlamentit ndaj shqetësimeve të qytetarëve”, zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Instituti Shqiptar i Shkencës dhe Citizens Channel, me mbështetjen financiare të Qeverisë Britanike.

 

Etiketa: