Skip to content Skip to footer

Dëgjesë Publike mbi modelin funksional të Grupeve Vendore të Veprimit sipas qasjes LEADER

28 tetor 2022 – IDM në kuadër të PACEP lehtësoi zhvillimin e një dëgjese publike në Përmet mbi modelin funksional të Grupeve Vendore të Veprimit  (GVV) sipas qasjes LEADER. Kjo qasje e cila është mbështetur nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) dhe tridhjetë organizatat anëtare të veta me synim rilindjen e komuniteteve rurale për zhvillimin e integruar, si dhe me pjesëmarrje të komuniteteve rurale. Aktiviteti synoi mobilizimin e vullnetit politik për të prioritizuar, mbështetur dhe nxitur zbatimin e qasjes LEADER, e cila ka potencialin të shndërrohet në një instrument shumë të rëndësishëm për fuqizimin e komuniteteve lokale dhe orientimin e tyre drejt një zhvillimi të integruar.

Dëgjesa bëri bashkë 45 pjesëmarrës që udhëtuan nga bashki të ndryshme të vendit dhe që përfaqësonin nismëtarë dhe mbështetës të nismave vendore të tipit Leader nga sektori i biznesit, shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore, të cilët prezantuan nismat e tyre, diskutuan përvojat e tyre, problemet dhe sfidat që po hasin në ngritjen e GVV në komunitetet e tyre. Në takim morën pjesë aktive edhe tre nënkryetarët e bashkive Përmet, Këlcyrë dhe Vlorë, të cilët konfirmuan angazhimin e bashkive të vendit për të parë qasjen Leader si instrument për zhvillimin e qëndrueshëm vendor.

Gjatë takimit u ndanë përvojat e grupeve të ndryshme që tashmë kanë nisur/ose janë të interesuar në krijimin e GVV-eve sipas qasjes LEADER në Bashkitë e Përmetit, Këlcyrës, Kolonjës, Vlorës dhe Elbasanit, por edhe përfaqësues nga bashkitë Vlorë, Bulqizë, Durrës dhe Pogradec, të cilët janë në hapat e para të krijimit të GVV-ve dhe mjaft të interesuar për të dëgjuar përvojën e grupeve më të avancuara. Në këtë drejtim, përvoja e GVV Pro Përmet shërbeu dhe ndihmoi pjesëmarrësit të kuptonin procesin, sfidat dhe risqet që shoqërojnë proceset pjesëmarrëse dhe me orientim nga poshtë lart në krijimin e GVV sipas qasjes Leader.

Të gjithë anëtarët pjesë e një strukture partneriteti vendor si GVV në bashki të ndryshme e cilësojnë qasjen LEADER si një instrument të rëndësishëm për  zhvillimin social dhe ekonomik të komuniteteve. Aktorët shtetërore, bizneset dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët përbëjnë një GVV, kanë ndërmarrë nisma të integruara duke patur në qendër njerëzit dhe mirëqenien e jetës së tyre. GVV-të  kanë ndihmuar në rrjetëzimin më efektiv të aktorëve vendor me qëllim zhvillimin e turizmit, bujqësisë, kulinarisë, traditës dhe zhvillimin e zonës në tërësi.

Funksionimi i GVV-ve në bashki të ndryshme ka patur edhe sfida gjatë zbatimit në këto vite. Pjesëmarrësit përmendën që kuadri ligjor është qartësuar vetëm së fundmi (ligji nr 36/2022) dhe strukturat ekzistuese të partneritetit të tipit LEADER duhet të zhvillojnë një proces të harmonizimit të statuteve dhe strukturave për t’u përshtatur me kuadrin e ri ligjor. Gjithashtu, u përmend rëndësia dhe fuqia që duhet të ketë një GVV në zonën ku vepron, fondet që duhet të jenë në dispozicion për projekte të GVV-ve, si dhe nevoja për investim të vazhdueshëm për të mbajtur grupin aktiv dhe të motivuar. Pjesëmarrësit evidentuan nevojën e madhe për informacion, ndërtimin e kapaciteteve, orientim dhe asistencë për të ndihmuar aty ku ka lidership vendor në animimin e territorit, mobilizimin e njerëzve në territor si dhe për të krijuar një strukturë partneriteti vendor si GVV duke përfshirë edhe hartimin e strategjive vendore të zhvillimit. Por mbi të gjitha,  monitorimi dhe angazhimi gjithnjë e më shumë i aktorëve ndaj punës së strukturave përkatëse përgjegjëse për zbatimin e parashikimeve ligjore është kritike për rritjen e përgjegjshmërisë ndaj përshpejtimit të harmonizimit të politikave publike të sektorit me Acquis të BE-së në zhvillimin bujqësor dhe rural dhe, veçanërisht ndaj zhvillimit vendor të udhëhequr nga komuniteti/qasja Leader. Strukturat përkatëse në MBZHR dhe institucione të tjera duhet të njohin situatën reale të GVV-ve në nivel vendor dhe të mbështesin aty ku ka lidership vendor në këto procese sfiduese përmes angazhimit më të madh në aktivitete rrjetëzuese dhe dëgjesa publike. Për këtë duhen njohur modelet funksionale të GVV që mund të shërbejnë si model për t’u ndarë dhe nxitur nisma të ngjashme në komunitete të ndryshme. MBZHR dhe struktura të tjera publike duhet të bashkërendojnë punën dhe proceset për zbatimin e qasjes Leader me Rrjetin Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe organizatat e veta anëtare (të cilat janë pjesë e GVV Pro Përmet, ose përfaqësojnë nismëtarë të nismave vendore të tipit Leader) për të nxitur dhe mbështetur një sipërmarrje kombëtare në këtë drejtim.

 

Pas diskutimit të frytshëm dhe shkëmbimit të përvojave, takimi vijoi me një vizitë në mjediset e inkubatorit të produkteve tipike lokale në Përmet, e cila menaxhohet nga GVV Pro Përmet. Inkubatori mbledh dhe ndihmon prodhues të ndryshëm të zonës për të përpunuar, ruajtur dhe shitur produktet e tyre. Pjesëmarrësit patën mundësinë që të provojnë ushqime të ndryshme të gatuara nga prodhuesit përfitues të inkubatorit.

Klikoni për të lexuar dokumentin e përgatitur për këtë cështje.

Ky aktivitet është në kuadër të “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri” (PACEP), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) Embassy of Switzerland in Albania dhe zbatuar nga NDI Albania – National Democratic Institute– Instituti Demokratik Amerikan.