Facebook
Mail

Agjenda e Gjelbër në Shqipëri: Nga Objektivat te Buxhetimi

Autor: Prof. As. Klodian Muço

Tranzicioni i gjelbër ka hyrë në një fazë vendimtare për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, e cila ka nënshkruar dhe miratuar një sërë angazhimesh që lidhen me klimën, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ky raport analitik synon të shqyrtojë në mënyrë të detajuar përputhshmërinë ndërmjet objektivave politike të vendit në kuadër të Axhendës së Gjelbër dhe strukturës aktuale të ndarjes buxhetore. Në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Parisit, Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara dhe Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (Sofia 2020), Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme strategjike për të përshpejtuar kalimin drejt një ekonomie me emetime të ulëta karboni. Megjithatë, që këto angazhime të përkthehen në rezultate të prekshme, është thelbësore që ato të
mbështeten me burime financiare adeguate, të planifikuara dhe të menaxhuara në mënyrë të qëndrueshme.

Në këtë kontekst, ky raport jep një analizë të ekonomike të mënyrës se si Shqipëria ka adresuar përparësitë e saj klimatike dhe mjedisore nëpërmjet planifikimit dhe alokimit buxhetor, si në nivel qendror përmes instrumenteve si Plani Buxhetor Afatmesëm dhe buxheti vjetor i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit po ashtu edhe në nivel lokal. Rezultatet tregojnë se, pavarësisht përpjekjeve pozitive për përafrimin me legjislacionin dhe politikat e BE-së, reflektimi i objektivave të gjelbra në strukturën buxhetore mbetet i kufizuar. Përmes analizës së dokumenteve buxhetore, të dhënave fiskale dhe alokimeve sektoriale, raporti ndihmon në kuptimin e përputhshmërisë midis politikave të shpallura dhe burimeve të dedikuara financiare. Në këtë mënyrë, ai synon të kontribuojë në një debat më të informuar mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me buxhetimin e gjelbër në Shqipëri, si një përbërës i rëndësishëm i tranzicionit të qëndrueshëm dhe të drejtë.

Ky dokument është prodhuar në kuadër të nismës “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin vetëm autorëve dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Klikoni këtu për ta shfletuar raportin: Agjenda e Gjelbër në Shqipëri: nga Objektivat te Buxhetimi

Publikime të Ngjashme