Në ciklin e katërt radhazi të monitorimit, “Monitorimi RAP për Shqipërinë 2024/2025” paraqet rezultatet e monitorimit të Reformës në Administratën Publike (RAP) në Shqipëri. Ky është raporti i parë nga 6 raporte të prodhuara bazuar në një metodologji dhe qasje të re raportimi, i cili vlerëson transparencën dhe përfshirjen si në zhvillimin e dokumenteve strategjike të RAP, ashtu edhe në strukturat për koordinimin dhe monitorimin e tyre.
Duke u mbështetur në parimet e SIGMA/OECD dhe metodologjinë e WeBER, të përmirësuar për WeBER 3.0, ky raport fokusohet tek monitorimi i dy nën‑indikatorëve: (1) transparenca dhe përfshirja në zhvillimin e dokumenteve të planifikimit të RAP, dhe (2) transparenca dhe përfshirja e strukturave të monitorimit dhe koordinimit të RAP. Nën‑indikatori i parë vlerëson ekzistencën dhe cilësinë e proceseve të konsultimit në zhvillimin e dokumenteve të planifikimit të RAP, ndërsa nën‑indikatori i dytë shqyrton pjesëmarrjen e shoqërisë civile në Grupet e Integruara të Menaxhimit të Politikave (GIMP) dhe në organe të tjera përmes shtatë elementëve, nga dizenjimi i politikave deri te perceptimet e informatorëve kyç.
Të dhënat krahasuese rajonale për të gjithë Ballkanin Perëndimor, dhe të gjithë raportet kombëtare dhe rajonale të Monitorimit të RAP ndër vite (2017–2025) janë të disponueshme në: www.par-monitor.org.
Shkarko raportin në anglisht: WeBER3 – Strategy for PAR Albania 1st Report 24-25
Raporti “Monitorimi i RAP për Shqipërinë 2024/2025” është pjesë e projektit WeBER 3.0, një iniciativë rajonale e Think for Europe Network për monitorimin dhe mbështetjen e zbatimit të RAP në Ballkanin Perëndimor. Ai financohet nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).