IMG_4503

Prezantohen gjetjet e sondazhit të Opinionit Publik “Besimi në Qeverisje 2023”

Prezantohen gjetjet e sondazhit të Opinionit Publik “Besimi në Qeverisje 2023”

– Tiranë, 21 maj 2024 –

Sot u prezantuan në Tiranë gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje 2023”. Ato paraqesin perceptimin publik në çështje si besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, niveli i përfshirjes qytetare në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi. 

Besimi në Qeverisje 2023”, edicioni i njëmbëdhjetë i Sondazhit të Opinionit Publik, u krye gjatë muajve tetor-nëntor 2023, duke përdorur një kampion përfaqësues kombëtar prej 2500 të anketuarish.

Institucionet ndërkombëtare kanë pasur përherë nivele më të larta besimi në krahasim me institucionet kombëtare të listuara në sondazh. Partitë politike, gjykatat, prokuroria dhe parlamenti renditen vazhdimisht si institucionet më pak të besuara ndër vite.

Gjetjet e sondazhit të vitit 2023 tregojnë se institucionet më të besuara janë organizatat ndërkombëtare, si OKB (74.3%), dhe BE (74.7%). Ndër institucionet vendase më të besuara mbeten institucionet fetare (67%), të ndjekura nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) (60.3%) dhe organizatat e shoqërisë civile (55.7%).

 Partitë politike (25.5%), parlamenti (29.1%), gjykatat (33.4%) dhe prokuroria (33.7%) renditen si institucionet më pak të besuara në vitin 2023.

 SPAK, përfshirë në sondazh për herë të parë në vitin 2022, shënoi një rritje të konsiderueshme prej 10 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

 Sa i përket sistemit të reformuar të drejtësisë, gjysma e të anketuarve (50.2%) ishin plotësisht ose përgjithësisht dakord se ai kontribuon pozitivisht në zhvillimin e vendit. Në krahun tjetër, rreth 44.9% e qytetarëve nuk ishin dakord ose aspak dakord me këtë pohim.

 Vlerësimet për transparencën dhe llogaridhënien si në nivelin qendror dhe në bashki mbetën afërsisht të njëjta me vitet e mëparshme. Në vitin 2023, më shumë se gjysma e shqiptarëve të anketuar i vlerësuan të dy nivelet e qeverisjes për mungesë transparence (59% për qeverisjen qendrore dhe 60.2% për bashkitë) dhe llogaridhënie (62.7% për qeverinë qendrore dhe 59.3% për bashkitë).

 Të dhënat e sondazhit tregojnë se korrupsioni mbetet një shqetësim i rëndësishëm. Në vitin 2023, shumica e pjesëmarrësve (81.3%) e konsiderojnë korrupsionin e vogël si të përhapur ose shumë të përhapur, dhe një përqindje e ngjashme (81.5%) e sheh korrupsionin e madh si të përhapur.Besimi në aftësinë e prokurorisë për të trajtuar rastet e korrupsionit mbetet i ulët, me 62.8% me mungesë besimi në ndjekjen penale të korrupsionit të madh dhe 56.8% në rastet e korrupsionit të vogël.

 Sondazhi i vitit 2023 përfshiu një pyetje për vlerësimin e perceptimit publik se sa efektive janë institucionet dhe strukturat publike në luftën kundër korrupsionit në vend. Të dhënat tregojnë se SPAK është institucioni që qytetarët e perceptojnë si më efektiv në trajtimin e korrupsionit, me 60.9% që shprehin besim të madh ose nivel bazë besimi.

 Për sa i përket angazhimit qytetar, përqindja e qytetarëve shqiptarë të interesuar për të marrë pjesë në vendimmarrje ka mbetur e qëndrueshme në 45.2%. Megjithatë, përqindjet aktuale të pjesëmarrjes në proceset e konsultimit me qeverinë dhe dhe demonstratat kanë mbetur vazhdimisht të ulëta.

Gjithashtu, rreth 38.3% e shqiptarëve dëshironin të emigronin në vitin 2023, duke përmendur arsye të tilla si punësimi, pagat më të larta dhe ndjekja e arsimit më të mirë, të dhënat të ngjashme me ato të vitit 2022.

 Veçanërisht, pati një rënie të ndjeshme në perceptimin e sigurisë në jetën e përditshme, me 67.6% të të anketuarve që u shprehën se ndiheshin të pasigurt në vitin 2023 krahasuar me 59.3% në vitin 2022. Faktorët kryesorë të pasigurisë së perceptuar u identifikuan si krimi, çështjet shëndetësore dhe pasiguria e punësimit.

 Në sondazhin e vitit 2023, shqiptarët u pyetën për prioritetet e qeverisë për pesë vitet e ardhshme. Të anketuarit evidentuan shëndetësinë (54%) dhe arsimin (38%) si drejtimet kryesore në punën e qeverisë, të ndjekur nga turizmi, infrastruktura e transportit dhe bujqësia.

 Kënaqësia me ofrimin e shërbimeve publike mbetet e përzier. Mesatarisht, katër nga dhjetë qytetarë (39.3%) raportuan se ishin të kënaqur me shërbimet publike bazë. Shkalla e kënaqësisë ndryshonte në shërbime të ndryshme, ku furnizimi me ujë (47.2%), shërbimet e pastrimit (47.3%), arsimi (46.2%) dhe shërbimet shëndetësore publike (44%) morën vlerësime më të larta të kënaqësisë krahasuar me policinë (35.4%), transportin publik. (31.8%) dhe shërbimet gjyqësore (25.5%). Nga ana tjetër, ndër qytetarët shqiptarë që kishin përdorur një shërbim administrativ në 2023, 59% thanë se ishin të kënaqur apo shumë të kënaqur, veçanërisht kur bëhej fjalë për gjendjen civile (71.6%), sigurimet shoqërore (66.7%), dhe transportin rrugor (68.3%).

 Sondazhi i vitit 2023 tregoi gjithashtu një nivel të lartë ndërgjegjësimi për shërbimet elektronike të ofruara nga e-Albania, me 92% të të anketuarve të vetëdijshëm për platformën. Ndër ta, 75.6% i kanë përdorur shërbimet në vitin 2023. Pjesa më e madhe e përdoruesve e konsideron portalin e-Albania si funksional (84.7%) dhe që i ofron qytetarëve ndihmën e nevojshme (59.7%). Megjithatë, më pak se gjysma mendonin se platforma ofronte mundësi për të shprehur komente dhe sugjerime.

 Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve përdorues të portalit e-Albania raportuan se mund ta bënin këtë në mënyrë të pavarur (45.4%), ndërsa të tjerë kërkuan ndihmë rrallë (22.2%), zakonisht (18.8%) ose gjithmonë (13.6%).

 Sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, shumica dërrmuese e të anketuarve i konsiderojnë të rëndësishme (90.7%). Megjithatë, vetëm 35% shprehën besim në aftësinë e aktorëve publikë për të menaxhuar të dhënat personale elektronike, ndërsa 30.8% shprehën besim në sektorin privat.

 Gjykatat dhe prokuroria perceptohen si institucionet më të ndikuara politikisht, me 35.5% dhe 35.3% të të anketuarve që i vlerësojnë si ‘shumë’ ose ‘jashtëzakonisht të ndikuara’. Megjithatë, ky perceptim ka rënë nga 61% dhe 59% në 2019 në 36% dhe 35% përkatësisht në 2023.

 Perceptimet për barazinë gjinore mbeten relativisht pozitive, ku 59.4% e shqiptarëve janë dakord se ka barazi mes burrave dhe grave. Megjithatë, 14.3% e shqiptarëve raportuan se trajtoheshin ndryshe në bazë të gjinisë, moshës, përkatësisë etnike, orientimit seksual ose paaftësisë.

 Klikoni për të shkarkuar raportin e plotë në anglisht dhe shqip.

 Sondazhi i Opinionit Publik, i nisur fillimisht në kuadër të Partneritetit për Qeverisjen e Hapur, është zhvilluar çdo vit nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) nga viti 2013, me mbështetjen e UNDP. Edicioni i vitit 2023 u realizua në kuadër të Projektit CSDA – “Konsolidimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin në Shqipëri”, një fond i përbashkët donatorësh, i cili zbatohet nga qeveria shqiptare në partneritet me UNDP-në dhe me Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim (ADC) si kontribuues kryesor, bashkë me UNDP-në.

 

Facebook
LinkedIn

Aktivitete të ngjashme

Instituti për Drejtësi dhe Ndërmjetësim (IDM) shpreh shqetësimin e tij në lidhje me miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave

Gjatë një fundjave të gjatë nga 17 deri më 19 tetor 2024, në Tiranë, 88 qytetarë të përzgjedhur në mënyrë

IMG_4503

Prezantohen gjetjet e sondazhit të Opinionit Publik “Besimi në Qeverisje 2023” – Tiranë, 21 maj 2024 – Sot u prezantuan