group-photo-religion-310x165

Konferenca e parë rajonale mbi Rolin e Fesë në Shoqëritë e Ballkanit Perëndimor

Konferenca e parë rajonale mbi Rolin e Fesë në Shoqëritë e Ballkanit Perëndimor

Një rast unik për krerët e komuniteteve fetare, politikë-bërës, akademikë dhe shoqërinë civile të Ballkanit Perëndimor që të diskutojnë sfidat dhe mundësitë që ofron feja në shoqëritë multi-fetare.       

Tiranë, 11 – 12 qershor 2019 – Kjo konferencë mbledh për herë të parë së bashku të gjithë aktorët e rëndësishëm për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që ofron roli i fesë në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor. Konferenca kontribuon në identifikimin dhe përmirësimin e mekanizmave shoqërorë dhe atyre politike në mënyrë që të përgatitet një qasje sa më e përshtatshme kundrejt sfidave të ardhshme të shoqërive multietnike të rajonit. Kjo ndihmon në ruajtjen dhe forcimin e vlerës së shtuar të feve ndaj mirëqenies dhe kohezionit social, zhvillimit dhe prosperitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vijim të Ceremonisë së Hapjes së konferencës rajonale të zhvilluar në Pallatin e Brigadave me pjesëmarrjen e Presidentit Z. Ilir Meta, krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri theksuan rolin historik që kanë luajtur këto komunitete në ruajtjen e ekuilibrave fetare në Shqipëri. Ata shtuan se ndërkohë që janë krenarë për këtë trashëgimi të vyer të bashkëjetesës që kane lënë paraardhësit, ndjehen përgjegjës për ta mbrojtur dhe zhvilluar atë për pasardhësit. Udhëheqësit fetarë theksuan rëndësinë e mos-politizimit të fesë dhe largimit nga ekstremizmat, si dhe bënë thirrje për rritjen e bashkëpunimit ndërfetar midis komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri por edhe midis komuniteteve fetare të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas gjatë fjalimit të tij veçoi se “në mënyrë që ta bëhet realitet vizioni i bashkëjetesës paqësore midis popujve të Ballkanit nevojiten iniciativa të reja, me mendime krijuese dhe perspektiva më të gjera.” Ai shtoi se “çdo lloj lufte apo dhune në emër të fesë është një fyerje ndaj fesë.” Lexoni fjalimin e plotë në gjuhën Eng/Alb.

Bujar Spahiu gjatë fjalimit të tij argumentoi se “përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, ndjehen shumë krenarë për këtë pasuri të vyer të tolerancës fetare që na kanë trashëguar paraardhësit tanë, dhe e konsiderojmë si një detyrë tepër madhore ruajtjen e kësaj pasurie, duke u angazhuar maksimalisht për ta forcuar dhe për t’ua përcjellë atë edhe brezave të ardhshëm.” Lexoni fjalimin e plotë në gjuhën Eng/Alb.

Arqipeshkvi Metropolit Imzot George A. Frendo u shpreh se “në parim, feja i shërben paqes, dhe nëse ndonjë fe i shërben racizmit, padrejtësive ose diskriminimit, atëherë ajo nuk mund te quhet një fe e vërtetë, por një kopje e shëmtuar e saj.” Ai shtoi se “ne nuk duhet thjesht të jemi “Rojtarët e Paqes” por dhe profetë dhe apostuj të saj në të gjithë botën.” Lexoni fjalimin e plotë në gjuhën Eng/Alb.

Kryegjysh Haxhi Baba Edmond Brahimaj theksoi se për të “është e rëndësishme të kthejmë kokën prapa jo për të ndezur gjakrat, por për të kërkuar mjete shëruese që gjenden aq shumë në resurset tona shpirtërore.” Ai shtoi se “jemi krijuar nga një Zot i vetëm dhe dashuria midis njeri-tjetrit, padyshim, është vullneti i Tij!”. Lexoni fjalimin e plotë në gjuhën Eng/Alb.

Ylli H. Doçi argumentoi se “fetë në Shqipëri bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën dhe fakti i thjeshte i ekzistencës së komunitetit tonë fetar, është provë e harmonisë fetare në Shqipëri.” Ai shtoi se “kjo harmoni vërteton se komunitetet fetare në Shqipëri nuk synojnë hegjemoni, dhe se ne jemi te bashkuar nga vlerat universale.” Lexoni fjalimin e plotë në gjuhën Eng/Alb.

Ndërsa gjatë ditës së dytë (12 qershor) konferenca rajonale mblodhi së bashku krerë të komuniteteve fetare, akademikë, zyrtarë të qeverisë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor. Si një nga rajonet me diversitet fetar dhe etnik më të lartë në Evropë, Ballkani Perëndimor ka pasur një histori të gjatë më marrëdhëniet ndërfetare, bashkëjetesën fetare, dhe dialogun ndërfetar. Kjo përvojë është një burim i pasur referimi në kuadër të debatit global mbi rolin e fesë në shoqëri.

Katër temat që shoqëruan punimet e konferencës së kësaj dite ishin situata aktuale e tolerancës fetare; liria e besimit dhe marrëdhëniet ndërfetare në vendet e Ballkanit Perëndimor; siguria dhe feja në Ballkanin Perëndimor; dhe Islami e shekullarizimi në Ballkanin Perëndimor. Për të pasuruar debatin mbi këto tematika, IDM dhe partnerët e saj rajonalë bënë edhe një publikim që shqyrton rolin e fesë në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor. Ky publikim është i ndarë në tre pjesë: përmbledhje e shkurtër e fesë në vendet e Ballkanit Perëndimor, raporti i pyetësorit me persona me ndikim në sferën ekonomike, politike dhe kulturore dhe artikujt akademikë që janë shkruar nga autorë të ndryshëm për këtë konferencë.

Leonie Vrugtman, gjatë prezantimit të gjetjeve të pyetësorit tregoi se në Shqipëri dhe Kosovë shohim më shumë harmoni fetare se ne vendet e tjera. Ajo shtoi se “shohim një ndikim më të madh të udhëheqësve fetarë në vendet që kanë përjetuar konflikte.”

Isak Asiel, krye rabini i komunitetit hebre në Serbi, argumentoi se “Ne duhet të jemi ofrues dhe jo përfitues, ne kemi nevojë të krijojmë një atmosferë ku të rinjtë të mos largohen nga shoqëritë tona.”

Ylli Doçi gjatë prezantimit të artikullit të tij theksoi se “toleranca nuk është thjesht diçka që ekziston, ajo duhet të jetë një arritje kulturore e secilit brez.” Ai shtoi se “ne nuk duhet të mendojmë se harmonia fetare në Shqipëri do të qëndrojë siç është nëse nuk e mbrojmë atë.” Sipas tij Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë duhet të promovohet si një model në vendet e tjera të rajonit.

At Photius nga Maqedonia e Veriut, gjatë fjalimit të tij argumentoi se “ne duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë në atë se çfarë duhet t’i mësojmë të rinjve, jo  vetëm nëpërmjet predikimit por edhe nëpërmjet sjelljes.” Ai shtoi se “ne duhet t’i ofrojmë atyre modele të vërteta, pasi ky është misioni ynë.”

Jeton Mehmeti gjatë prezantimit të artikullit të tij “Përpjekja e politikë-bërësve kosovarë për përditësimin e ligjit mbi çështjet fetare” theksoi “ka nevojë të ndryshohet ligji mbi fetë në Kosovë, pasi komunitetet fetare nuk njihen si entitete ligjore nga shteti dhe kjo sjell pasoja negative.

Mladen Mrdalj gjat; fjalimit të tij argumentoi se “nëse një fe i qaset shtetit me qëllimin  për të zbatuar rregullat fetare nga shteti,  atëherë ky është momenti kur ajo fe ka dështuar. Ai shtoi se udhëheqësit fetarë duhet të praktikojnë atë që predikojnë.”

Julianne Funk gjatë prezantimit të artikullit të saj “Fetë dhe roli i tyre në parandalimin e konfliktit: Kapacitetet lokale të komuniteteve fetare të Bosnjë dhe Hercegovinës” vuri në dukje se “aktorët fetarë në nivel vendor mund të rrisin përvojat transformuese  duke i përfshirë komunitetet në vend që t’i neglizhojnë ato.”

Muhamed Hadžić krye imami i Beogradit gjatë fjalimit të tij u shpreh se “një shtet laik është një shtet demokratik i cili garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e tij. Ai tha se qytetarët e Ballkanit Perëndimor e dëshmojnë më së

miri këtë aspekt.”

Zora Hesova gjatë prezantimit të artikullit të saj “Tradita Islamike”: shqyrtim i modelit të Bosnjës” argumentoi se “institucionet islame në Bosnjë dhe Hercegovinë qëndrojnë midis mbështetjes së huaj dhe vetë-autonomisë”. Sipas saj sfida më e madhe është polarizimi I botës islame.

Facebook
LinkedIn

Aktivitete të ngjashme

Dëgjesë Publike mbi Rekomandimet e Paneleve Qytetare për Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve

Dëgjesë Publike mbi Rekomandimet e Paneleve Qytetare për Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve 11 Dhjetor 2024 Sot,

Deklaratë e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) mbi vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 678, datë 30.10.2024

Instituti për Drejtësi dhe Ndërmjetësim (IDM) shpreh shqetësimin e tij në lidhje me miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave

Panelet Qytetare: Një Mënyrë e Re për të Përfshirë Qytetarët në Proceset Parlamentare

Gjatë një fundjave të gjatë nga 17 deri më 19 tetor 2024, në Tiranë, 88 qytetarë të përzgjedhur në mënyrë