Konferencë: Përmirësimi i kapaciteteve të Kuvendit për një qeverisje më të mirë të Sektorit të Sigurisë në Shqipëri

 

27 Janar 2015, Hotel Rogner Tirana

Në Shqipëri funksionojnë shtatë shërbime informative. Vetëm dy prej tyre, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Agjencia Informative e Sigurisë dhe Mbrojtjes,  kanë ligjet organike përkatëse. Pesë shërbimet e tjera informative kanë nevojë për një mbështetje më të plotë ligjore, ndërsa vijon të mungojë mbikëqyrja dh kontrolli parlamentar mbi to.

Problemet e Sektorit të Sigurisë në Shqipëri, sidomos mbikëqyrja dhe kontrolli nga Legjislativi, ishte objekti që mblodhi sot së bashku, parlamentarë (anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë) përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të institucioneve të sigurisë në vend, të shoqërisë civile, analistë, në konferencën e organizuar nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim, Tiranë, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë.

Në bazë të raportit të prezantuar në emër të Institutit për Demokraci e Ndërmjetësim nga Foto Duro, rezulton se ndërsa Shërbimi Informativ i Shtetit dhe ai brenda sektorit të Mbrojtjes, janë vënë kohë pas kohë nën mbikëqyrjen e Legjislativit (megjithëse edhe këtu ka vend për përmirësim), për pesë shërbimet e tjera informative, të cilat janë ngritur e funksionojnë në Ministrinë e Brendshme, të Drejtësisë dhe të Financave, baza ligjore është e mangët, ndërsa kontrolli nga Legjislativi ka munguar plotësisht. Një situatë e tillë e ndryshme nga praktikat demokratike të vendeve perëndimore lë shteg për abuzim me kompetencat e tyre dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve.

Folësit në konferencë, Zoti Edmond Spaho, Nënkryetar i Kuvendit, Zoti Spartak Braho, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, deputetë të të dy krahëve, ndanë opinione të njëjta për faktin që kuadri ligjor që rregullon funksionimin e institucioneve të sigurisë ka mangësi, sidomos në lidhje me mënyrën e kontrollit të tyre nga Legjislativi. Zoti Edmond Spaho, nënvizoi në mënyrë të veçantë nevojën e rregullave të unifikuara për ushtrimin e këtij kontrolli, pavarësisht nga specifikat e çdo institucioni, ku sigurisht të mbahet parasysh edhe mbrojtja e informacionit sensitiv për sigurinë kombëtare. Zoti Braho nga ana e vet, mbështeti konstatimet kryesore të raportit dhe sidomos faktit që me gjithë vështirësinë që paraqet teknikisht kontrolli financiar i  institucioneve të sigurisë, pa të kontrolli i Legjislativit do të mbetet i mangët.

Në fund të takimit, Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Zoti Spartak Braho, bëri të ditur vendimin për të nisur që në fillim të javës së ardhshme procedurat për rishikimin dhe miratimin e ligjit të ri për shërbimet informative në Shqipëri, si dhe një numër hapash të tjerë për forcimin e kontrollit mbi Sektorin e Sigurisë në gjerësi (duke përfshirë gjithë institucionet e sigurisë të vendit) dhe në thellësi (duke aplikuar mbi to, krahas kontrollit të përgjithshëm edhe atë ekonomiko-financiar, përfshi prokurimin e pajisjeve sensitive). Vlerëson të nënvizohet vullneti i shprehur nga mazhoranca që me ligjin e ri, kryesimi i nënkomisionit për kontrollin e shërbimeve informative do t’i përkasë përherë opozitës, diçka disi e rrallë në praktikën e deritanishme shqiptare, kur është fjala për çështje kaq sensitive si mbikëqyrja dhe kontrolli i shërbimeve informative.

IMG_2234IMG_2225IMG_2244parliament foto

 

Facebook
LinkedIn

Aktivitete të ngjashme

Dëgjesë Publike mbi Rekomandimet e Paneleve Qytetare për Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve

Dëgjesë Publike mbi Rekomandimet e Paneleve Qytetare për Turizmin Rural dhe Malor dhe Paketën e Maleve 11 Dhjetor 2024 Sot,

Deklaratë e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) mbi vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 678, datë 30.10.2024

Instituti për Drejtësi dhe Ndërmjetësim (IDM) shpreh shqetësimin e tij në lidhje me miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave

Panelet Qytetare: Një Mënyrë e Re për të Përfshirë Qytetarët në Proceset Parlamentare

Gjatë një fundjave të gjatë nga 17 deri më 19 tetor 2024, në Tiranë, 88 qytetarë të përzgjedhur në mënyrë