Hotel Tirana International – 6 Shtator 2013
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) prezantoi ditën e premte, datë 6 shtator 2013, në ambjentet e Hotel Tirana Intenational, Indeksin e Qëndrueshmërisë së Organizatave të Shoqërisë Civile – Raporti për vitin 2012, me të dhëna mbi zhvillimin, problemet dhe sfidat e shoqërisë civile në vendin tonë.
Indeksi analizon progresin e organizatave të shoqërisë civile në 29 vende në tranzicion, gjatë 16 viteve të fundit, duke u fokusuar në aspektet ligjore, kapacitetet organizative, qëndrueshmërinë financiare, imazhin publik, fuqinë advokuese etj.
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i cili pre tre vitesh realizon studimin për Shqipërinë, ka identifikuar progres të limituar të këtij sektori në vendin tonë duke veçuar një sërë problematikash të trashëguara nga vitet e kaluara, si mosdëgjimi i zërit të shoqërisë civile në vendim-marrje, probleme e pengesa ligjore, paqendrueshmëri financiare etj. Në takim morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve shtetërore, universitetet etj. ndërkohë që Marc Ellingstad (USAID), Gjergji Vurmo (IDM) dhe Dritan Shutina (Co Plan) folën për studimin në tërësi dhe specifikat e zhvillimit të shoqërisë civile në Shqipëri.
Në këtë kuadër Shqipëria nuk ka shënuar progres në asnjë nga indikatorët e përcaktuar, duke qëndruar në nivele të njëjta të një viti më parë. Ndërkohë edhe në rang global, Indeksi i Qëndrueshmërisë së Shoqërisë Civile në Europën Qëndrore dhe Lindore dhe Euroazi, identifikon zhvillime pozitive të limituara, duke vënë theksin tek sfidat e vështirësitë që organizatat joqeveritare përballen çdo ditë, ku përfshihen pengesat ligjore e burokratike, presione financiare, mungesa e transparencës dhe pabarazi rajonale të theksuara të cilat kërcënojnë të ndalojnë apo përkeqësojnë zhvillimin e shoqërisë civile në vendet në tranzicion.
Fakti që shoqëria civile në shumë vende ende ka vështirësi për sigurimin e të ardhmes së saj reflekton në realitet se ndërtimi i qëndrueshmërisë së OShC-ve është një proces afatgjatë. Pavarësisht sfidave, praktika e qytetarëve që punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e tyre po bëhet e zakonshme në të gjithë vendet e rajonit dhe qytetarët janë tashmë aktorë të përhershëm të shoqërisë.
Zhvillimi i shoqërisë civile si pushteti i katërt në demokraci, është një tregues thelbësor dhe i pazëvendësueshëm në përmbushjen e reformave dhe në konsolidimin e rendit demokratik dhe shtetit ligjor. Si rrjedhojë progresi i këtij sektori është i një rëndësie të veçantë në arritjen e vlerave dhe standarteve të qeverisjes demokratike.