Konsultimet publike dhe llogaridhënia e jashtme si sfidat kritike të Reformës në Administratën Publike në Shqipëri
Siç u tregua gjatë zbatimit të projektit rajonal WeBER, shoqëria civile me njohuritë e saj vendore mbi funksionimin e administratës mund të udhëheqë përpjeket advokuese për një administratë më të mirë. Monitorimi i pavarur i reformës dhe një dialog me qeverinë i bazuar tek evidencat është qasja e përshtatshme për arritjen e këtij qëllimi.
Tiranë,11 dhjetor 2018 – IDM prezantoi gjetjet e Raportit WeBER PAR Monitor për Shqipërinë si dhe rezultatet se ku qëndron Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Qasja monitoruese e WeBER, e cila bazohet në një metodologji të përbashkët rajonale, ofron një perspektivë të pavarur e të jashtme të Reformës në Administratës Publike e orientuar nga parimet e Bashkimit Europian në këtë fushë – Parimet e Administratës Publike. Qasja është hartuar duke i dhënë rëndësi të
veçantë aspektit publik të punës së një administrate si transparenca, përfshirja, mundësitë e barabarta dhe llogaridhënia kundrejt publikut. Mund të lexoni më tepër mbi metodologjinë këtu: http://www.par-monitor.org/pages/par-monitor-methodology.
Raportin mund ta gjeni këtu: http://idmalbania.org/national-par-monitor-albania-2017-2018/
Aleka Papa, Hulumtuesja e WeBER për Shqipërinë, prezantoi PAR Monitor së bashku me rekomandimet përkatëse. Në të gjashtë fushat e RAP të analizuara, Shqipëria rezulton si rasti më i avancuar i rajonit. Shqipëria ka siguruar 244 pikë nga një total prej 581 përgjatë të gjithë indikatorëve te WeBER, ose 42%.
Në aspektin se si ka performuar në gjashtë fushat e reformës, metodologjia e WeBER tregoi se Shqipëria ka arritur më tepër në fushat e ofrimit të shërbimeve, shërbimit publik dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe menaxhimit të financave publike (përgjatë tre segmenteve të mbuluara nga monitorimi i WeBER: transparenca e buxhetit, kontrolli i brendshëm financiar publik dhe auditi i jashtëm). Nga ana tjetër, fusha e zhvillimit dhe koordinimit të politikave rezulton si fusha më kritike.
Këtu shfaqen si më problematike çështjet e lidhura me mungesën e informacionit mbi performancën e qeverisë si dhe arritja e proceseve konsultuese cilësore të cilat do të mundësonin një pjesëmarrje të qenësishme të publikut dhe shoqërisë civile në procesin e politikë-bërjes.
Gjergji Vurmo, Drejtor i Programeve në IDM, moderoi diskutimin me përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike, Zyra e Kryeministrit, ADISA, Komisionerit për Mbrojtjen e të Drejtës së Informimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit rajonal WeBER – financuar nga Bashkimi Europian dhe bashkëfinancuar nga Mbretëria e Holandës.