Gjatë viteve të fundit, kriza ekonomike globale ndikoi në rritjen e papritur të numrit të migrantëve që kthehen në Shqipëri. Pavarësisht nga tipologjia e migracionit të kthimit, tendenca në rritje e personave që kthehen në Shqipëri evidenton nevojën për masa dhe politika të dedikuara për të adresuar sfidat e riintegrimit. Në praktikë, mbështetja e riintegrimit konsiston kryesisht në programe të fragmentuara të cilat janë të paqëndrueshme në terma afatgjatë.
Qëllimi kryesor i këtij studimi është të identifikojë strategjitë dhe mekanizmat e riintegrimit të të kthyerve në tregun shqiptar të punës. Studimi ofron disa rekomandime për politikëbërësit me qëllim hartimin dhe promovimin e programeve riintegruese për të kthyerit të cilat synojnë nxitjen e investimit të kapitalit financiar dhe njerëzor në Shqipëri.
Gjetjet kryesore:
Studimi evidentoi se të kthyerit u hasën me vështirësi të shumta për sa i përket aksesit në informacion, orientimit dhe udhëzimeve rreth sektorëve të mundshëm ku mund të investonin kursimet e tyre. Informacioni i disponueshëm për të kthyerit dhe ofrimi shërbimeve mbeten shumë larg standardit të dëshiruar.
Gjetjet sugjerojnë se të kthyerit e perceptojnë klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme për zhvillimin e suksesshëm të biznesit të tyre.
Mungesa e infrastrukturës në vend, investimet e pakta publike, procedurat jotransparente të biznesit në lidhje me investimet dhe kreditë e buta, burokracia dhe informaliteti i përhapur kishin qenë pengesat kryesore në investimin e kapitalit financiar nga te kthyerit.
Klikoni për të shkarkuar raportin e plotë ne anglisht dhe shqip.
Ky dokument politikash i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) është prodhuar në kuadër të projektit: “Platforma e Politikave: Ecja përpara në axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE” mbështetur nga Fondacioni Hanns-Seidel.