Skip to content Skip to footer

Prezantimi i Sondazhit “Besimi në Qeverisje 2016”

Në 7 shkurt 2017, IDM prezantoi gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje” për vitin 2016, i kryer gjatë periudhës 12-24 dhjetor 2016 në të 61 bashkitë e Shqipërisë. Qëllim i tij është të masë nivelin e besimit të publikut tek institucionet qeveritare si dhe qëndrimin e qytetarëve ndaj punës së institucioneve publike dhe ofrimit të shërbimeve në Shqipëri.

Gjetjet e sondazhit tregojnë nivel relativisht të ulët të besimit ndaj institucioneve publike, ku vetëm pesë në trembëdhjetë (5/13) institucione kombëtare gëzojnë më shumë se 50% të besimit të publikut. Në nivel të përgjithshëm, qytetarët e anketuar kanë më shumë besim tek Policia (61%), sistemi arsimor (59%), instiucionet fetare (58%), media (58%) dhe Forcat e Armatosura (55%).

Analiza tregon se përgjatë 4 viteve të fundit ka pasur një prirje të përgjithshme në rritje tek publiku shqiptar lidhur me shkallën e besimit të tyre në institucionet publike, pavarësisht nga fakti se besimi tek institucionet administrative ishte më i madh se tek ato përfaqësuese.

74% e qytetarëve të anketuar kanë televizionin si mediumin e tyre mediatik më të përdorur, ndërsa 35% e qytetarëve të anketuar mendojnë se informacioni i dhënë nga mediat nuk është i saktë dhe i vërtetë. Në lidhje me Reformën në Drejtësi publiku mbetet i dyzuar mbi zbatimin korrekt të Reformës. Edhe pse 71% e qytetarëve besojnë se nëse zbatohet siç duhet Reforma në Drejtësi do të ketë një ndikim pozitiv, vetëm 46% besojnë në zbatimin adekuat të saj.

Koordinator i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësues i Përhershëm i PNUD në Shqipëri Brian Williams u shpreh kështu “Këtë vit sondazhi jep arsye për optimizëm, por edhe për shqetësim. Përgjithësisht, besimi tek institucionet shqiptare është i ulët. Për gjysmën nga dymbëdhjetë institucionet publike të përzgjedhura, besimi mbetet nën 50%. Megjithatë, është inkurajues fakti se, pavarësisht nga nivelet e ulëta, prirja është për një besim në rritje. Për shembull, është inkurajuese se të anketuarit raportuan se përballen me korrupsionin më pak se më parë. Dhe në fushën e Reformës në Drejtësi, me ngjarjet e vitit të kaluar, ka shpresa të mëdha për ndryshim ku 71% e të anketuarve besojnë se reforma ka potencial për ndryshim pozitiv nëse zbatohet në mënyrë korrekte.

Në fjalën e saj përshëndetëse Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin u shpreh se “71% e qytetarëve besojnë se po të zbatohet si duhet, reforma e drejtësisë do të ketë një ndikim pozitiv. Kjo është një shenjë e shkëlqyer që qytetarët e kuptojnë se për çfarë bëhet reforma dhe si duhet ta përmirësojë ajo cilësinë e jetës së tyre. Megjithatë, shifrat tregojnë gjithashtu se njerëzit janë ende shumë të kujdesshëm dhe presin të shohin nëse do të vërtetohet se e kishin gabim në frikërat e tyre se ndryshimi është i mundur. 46% besojnë se reforma e drejtësisë do të zbatohet si duhet, ndërsa 42% mendojnë se jo…Unë e kuptoj frikën dhe e kuptoj skepticizmin…Por nuk ka vend për frikë dhe sigurisht që nuk ka shans për të frikësuar askënd që beson te nevoja që shqiptarët ta kenë sistemin e drejtësisë dhe demokracinë që u takon.”

Ekspertë të ndryshëm, të ftuar në panel komentuan mbi gjetjet e sondazhit duke ofruar një panoramë më të detajuar të zhvillimeve politike, ekonomike dhe sociale në vend. Një fokus i veçantë iu kushtua luhatjeve të besueshmërisë në vitet e fundit, mekanizmave të domosdoshëm për forcimin e marrëdhënieve qeveri-qytetar si dhe nevojës për kuptueshmëri dhe adresim të çështjes së korrupsionit në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Ky është viti i katërt radhazi (2013-2016) që ky Sondazh i Opinionit kryhet, bazuar në metodologji, instrument dhe mbulim kombëtar të ngjashëm. Ky sondazh është kryer me mbështetjen financiare të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) në Shqipëri.