sqen

Zbatimi i standardeve të punës në Shqipëri në perspektivën e partnerëve socialë

Zbatimi i standardeve të punës në Shqipëri në perspektivën e partnerëve socialë

Përgjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përpjekje të vazhdueshme në drejtim të përmbushjes së standardeve të punës, së paku për sa i përket kuadrit ligjor dhe të politikave. Megjithatë, evidenca prima facie dëshmon se respektimi i standardeve të punës vijon të mbetet problematik në praktikë duke marrë trajta veçanërisht shqetësuese në sektorë të caktuar të ekonomisë dhe midis kategorive më të rrezikuara të punëtorëve.

Në kuadër të projektit “Promovimi i Standardeve të Punës në Shqipëri” mbështetur nga Olof Palme International Center në Shqipëri nëpërmjet financimit të Qeverisë Suedeze, gjatë vitit 2016, IDM ka ndërmarrë një hulumtim për të vlerësuar ecurinë e zbatimit të standardeve të punës në Shqipëri dhe për të hetuar mbi mangësitë aktuale në aspektin e politikave, për t’i ardhur kështu në ndihmë politikë-bërjes së informuar dhe hulumtimeve të mëtejshme në fushën e marrëdhënieve të punës. Studimi është përqëndruar në zbatimin e standardeve të punës në tre sektorë: sektori i minierave dhe guroreve, sektori i ndërtimit dhe sektori fason.

Në 16 dhjetor 2016, u zhvillua Tryeza e Rrumbullakët “Zbatimi i standardeve të punës në Shqipëri në perspektivën e partnerëve socialë” me qëllim të prezantojë gjetjet e studimit duke ofruar një kontribut në debatin publik për punësimin dhe punën e denjë në Shqipëri. Eventi mblodhi në një forum diskutimi përfaqësues të partnerëve socialë, përfaqësues të qeverisë, aktorë të shoqërisë civile, komunitetit të donatorëve, dhe aktorë të tjerë politikë.

Në 26, 27 and 31 janar 2016 tre workshop-e rajonale u organizuan në Durrës, Shkodër dhe Bulqizë, me pjesëmarrjen e partnerëve socialë lokalë, përfaqësues të bashkive dhe qarkut dhe medias lokale. Diskutimi u fokusua tek prezantimi i gjetjeve të studimit, ndërgjegjësimi mbi të drejtat në punë dhe mbi rolin dhe nevojën për një përfshirje më të koordinuar dhe konstruktive të partnerëve socialë në promovimin dhe sigurimin e zbatueshmërisë së legjislacionit të punë.