MODUL TRAJNIMI PËR PUNONJËS TË VIJËS SË PARË: Hartëzimi i programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit (R&R) për personat e kthyer nga zonat e konfliktit

Qasjet efektive të riintegrimit kërkojnë angazhim dhe punë me komunitetet, institucionet vendore dhe qendrore, punonjësit e vijës së parë, me individët dhe familjet e të kthyerve, si dhe me personat që priren të ndikohen nga ideologjitë ekstremiste . Programet efektive të rehabilitimit dhe riintegrimit janë të rëndësishme jo vetëm për parandalimin e veprimeve të dhunshme në të ardhmen, por edhe për menaxhimin e radikalizimit të mëtejshëm (veçanërisht mes të rinjve), si dhe për forcimin e qëndresës së komunitetit ndaj EDH. Praktika e deritanishme ka treguar se bashkëpunimi shumëaktorial siguron vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve R&R.

 

Ky modul trajnimi synon të informojë punonjësit e vijës së parë mbi llojet e programeve R&R dhe qasjen e të kthyerve në këto programe. Moduli udhëzon hap pas hapi ndërhyrjet të cilat orientojnë punën e punonjësve të vijës së parë gjatë procesit të ofrimit të shërbimeve.

 

Këto programe përfshijnë aksesin në të drejtat dhe shërbime të organizuara sipas fushave të mëposhtme të ndërhyrjes:

1. Ligjore (regjistrimi në gjendjen civile, shtetësia, dokumentet);

2. Social-ekonomike (strehimi, punësimi, formimi profesional, kujdesi shëndetësor, ndihma psiko-sociale);

3. Kohezioni social (arsimi, mësimi i gjuhës dhe orientimi shoqëror, nxitja e pjesëmarrjes dhe përfshirjes në komunitet). 2 Holmer, G. dhe Shtuni, A. (2017). Returning Foreign Fighters

 

Ky modul është hartuar për t’i ardhur në ndihmë punonjësve të vijës së parë, zyrtarëve të njësive të vetëqeverisjes vendore, punonjësve socialë, psikologëve, profesionistëve të shëndetit, mësuesve dhe policisë, të cilët duhet të lehtësojnë aksesin në shërbime për personat e kthyer nga zonat e konfliktit.

 

Moduli është i strukturuar në pesë pjesë kryesore:

1. Pjesa e parë e modulit ofron një panoramë të përgjithshme të EDH në Shqipëri, duke u fokusuar në rëndësinë e programeve R&R për personat e kthyer nga zonat e konfliktit.

2. Pjesa e dytë e modulit hedh dritë mbi profilin e grave dhe fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit si grupe të cenueshme me nevoja të veçanta.

3. Në kapitullin në vijim përshkruhen parimet e përgjithshme për ofrimin e programeve R&R dhe rëndësia e qasjes së integruar multidisiplinare dhe shumëaktoriale.

4. Në kreun e katërt përshkruhen disa raste dhe praktika pozitive të programeve R&R në shtete të ndryshme.

5. Pjesa e fundit hartëzon programet R&R sipas fushave dhe nënfushave kryesore të ndërhyrjes. Plani i ndërhyrjes jep një përshkrim të shkurtër të shërbimit duke u fokusuar te nevojat e grupit në fjalë, kuadri ligjor dhe nënligjor, fusha e veprimit, institucionet dhe personat përgjegjës si dhe hapat dhe procedurat që duhet të ndiqen për të marrë shërbimin.

Kliko për të shkarkuar manualin në Shqip dhe një përmbledhje të shkurtër në Anglisht.

Ky modul trajnimi u realizua në kuadër të projektit “Riintegrimi i qëndrueshëm në komunitet i shtetasve shqiptarë të kthyer nga Siria”, i cili po zbatohet në Shqipëri nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve dhe Qëndra e gruas për zhvillim dhe kulturë, nën koordinimin kombëtar të Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me mbështetjen e Fondit Global të Angazhimit dhe Qëndrueshmërisë së Komunitetit.