Dialog Politik – Reflektime Kryesore
Ndërsa Shqipëria po përparon në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes hapjes së të gjithë kapitujve negociues dhe zbatimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF), vendi përballet me një agjendë legjislative gjithnjë e më komplekse. Në këtë kuadër, sigurimi i cilësisë legjislative, transparencës dhe gjithëpërfshirjes është po aq i rëndësishëm sa ritmi i përafrimit me Bashkimin Evropian.
Më 06 maj 2026, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Shqipëri, mblodhi në një dialog të nivelit të lartë përfaqësues nga Kuvendi, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar se si vendi mund të balancojë nevojën për përshpejtimin e reformave me legjitimitetin demokratik, kontrollin parlamentar dhe pjesëmarrjen kuptimplotë të aktorëve të interesit. Diskutimi theksoi domosdoshmërinë që integrimi në BE të mos shërbejë vetëm si një proces teknik harmonizimi, por edhe si një mundësi për të forcuar qeverisjen demokratike dhe besimin e publikut.
Konkluzionet Kryesore:
Efiçenca Legjislative nuk Duhet të Cenojë Standardet Demokratike
Pjesëmarrësit, përfshirë Ambasadorin e BE dhe Ambasadorin Suedez në Shqipëri si dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë, ngritën shqetësime mbi përdorimin e zgjeruar të procedurave të përshpejtuara për legjislacionin që lidhet me me përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian (BE). Teksa procedurat e përshpejtuara mund të jenë të justifikuara në raste specifike, përdorimi i tyre sistematik rrezikon të dobësojë kontrollin parlamentar, transparencën dhe pjesëmarrjen kuptimplote të publikut, duke ndikuar në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e reformave.
Gjatë diskutimeve u theksua se përdorimi i gjerë i procedurave të përshpejtuara mund të bjerë në kundërshtim me standardet evropiane për transparencën, konsultimin publik dhe mbikëqyrjen parlamentare. Përvojat nga vendet e Ballkanit Perëndimor tregojnë se, ndërsa vende si Serbia dhe Mali i Zi i përdorin procedurat e përshpejtuara, ato zakonisht shoqërohen me kërkesa për një arsyetim specifik dhe kontroll procedural. Në të njëjtën kohë, praktikat nga vendet anëtare të BE-së, si Kroacia dhe Sllovakia dëshmojnë se mbështetja e tepërt te procedurat e përshpejtuara mund të dobësojë kontrollin parlamentar dhe të kufizojë, me kalimin e kohës pjesëmarrjen reale të grupeve të interesit.
Në këtë kuadër, diskutimet theksuan rëndësinë e përforcimit të procedurave standarde legjislative si qasja parësore për trajtimin e legjislacionit të BE-së, duke eksploruar njëkohësisht mekanizma mbrojtës që mundësojnë kthimin e projektligjeve në procedura të zakonshme kur lindin shqetësime lidhur me transparencën, konsultimin publik apo ndikimin në kuadrin normativ.
Forcimi i Angazhimit të Hershëm dhe Kuptimplotë të Shoqërisë Civile
Ky event nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në faza më të hershme të ciklit legjislativ, veçanërisht gjatë procesit të mbledhjes së të dhënave dhe hartimit të politikave, dhe jo vetëm gjatë fazave përfundimtare të konsultimit. Pjesëmarrësit theksuan se pjesëmarrja kuptimplote kërkon kalimin përtej procedurave formale të konsultimit drejt mekanizmave më të strukturuar, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në evidenca.
Në këtë drejtim, diskutimet nxorën në pah nevojën për të nxitur ligjbërjen e bazuar në fakte përmes angazhimit të hershëm të aktorëve, si dhe domosdoshmërinë e forcimit të gjurmueshmërisë së kontributeve publike, duke garantuar më shumë transparencë, llogaridhënie dhe besueshmëri gjatë gjithë procesit legjislativ.
*Përgatitur nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).
**Ky dialog politik u organizua në kuadër të projektit “GoEthics 2.0 – Governance, Ethics & Integrity”, me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Shqipëri.