sqen

Raporti i Indeksit të Qëndrueshmërisë së OShC-ve 2018 | Nëntor 2019

Prezantimi i Indeksit të Qëndrueshmërisë së OShC-ve: Raporti për Shqipërinë 2018

Qëndrueshmëria e përgjithshme e sektorit të shoqërisë civile nuk pësoi ndryshime të mëdha gjatë vitit 2018, megjithëse përmirësime të vogla u vunë re në dimensionet e avokimit dhe të qëndrueshmërisë financiare. 

Tiranë, 22 nëntor 2019 – Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) zhvilloi një panel diskutimi për të prezantuar gjetjet e Indeksit të USAID për Qëndrueshmërinë e OSHC-ve 2018 për Shqipërinë tek Hotel Tirana International në Tiranë. IDM-së i është besuar detyra e përgatitjes së raportit për Shqipërinë që prej vitit 2010. Pjesëmarrës nga shoqëria civile, komuniteti i donatorëve, aktorët shtetërorë, dhe pjesëmarrës nga media u mblodhën së bashku për të diskutuar tendencat në qëndrueshmërinë e sektorit.

Znj. Evelina Azizaj prezantoi gjetjet e raportit për Shqipërinë. Znj. Azizaj theksoi “përmirësime të vogla u vunë re në dimensionet e advokimit dhe të qëndrueshmërisë financiare. Advokimi u përmirësua si rezultat i mbështetjes aktive të OSHC-ve për zhvillimet socio-politike, ndërsa qëndrueshmëria financiare u përmirësua ndjeshëm për shkak se OSHC-të më të vogla dhe OSHC-të jashtë kryeqytetit rritën aksesin në fonde përmes programeve të nën-grantimit. Pavarësisht këtij përmirësimi, Znj. Azizaj vuri në dukje se qëndrueshmëria financiare mbetet dimensioni më i dobët i qëndrueshmërisë së OSHC-ve dhe vijon të shoqërohet nga mungesa e diversifikimit të burimeve, varësia e lartë nga donatorët ndërkombëtarë, si dhe mungesa e theksuar e aksesit në fondet publike.

E pranishme në panelin e diskutimit ishte znj. Arjola Agolli (Drejtore e Programeve tek Partners Albania) e cila hnxori në pah disa nga sfidat e sektorit të OSHC-ve në Shqipëri në lidhje me mungesën e informacionit nga ana e OSHC-ve për ndryshimet e shpeshta të kornizës ligjore dhe fiskale . Për më tepër, mungesa e rimbursimit të TVSH-së mbetet problem. Gjithashtu, znj Agolli deklaroi se niveli i bashkëpunimit me pushtetin qendror dhe vendor është i dobët.

Ndërsa znj. Xheni Karaj (Drejtore Ekzekutive, Aleanca LGBTI), përqendroi vërejtjet e saj mbi rëndësinë e ofrimit të shërbimeve të OSHC-ve dhe bëri thirrje për rritjen e mbështetjes në këtë drejtim.

Në fjalën e tij z. Blendi Salaj (Gazetar, A2 CNN) shtjelloi rëndësinë që OShC-të të investojnë më shumë në përmirësimin e mëtejshëm të imazhit publik. Në këtë drejtim, fondet e alokuara për OShC-të duhet të marrin parasysh promovimin mediatik të nismave dhe projekteve të OShC-ve.

Në përfundim, z. Robert Gajda, Komisioneri për Anti-Diskriminimin, theksoi se OSHC-të jashtë kryeqytetit të Tiranës mund të mbështeten përmes trajnimeve (know-how) në mënyrë që ato të përmirësohen dhe të rritin kontributin e tyre në komunitetin vendor.

IDM ka pasur partneritet me USAID, ICNL dhe FHI 360 për të përpiluar Raportin për Shqipërinë 2018.

Klikoni më poshtë për të shkarkuar Raportin për Shqipërinë CSOSI 2018 në Anglisht ose në Shqip dhe FactSheet në Anglisht ose në Shqip.