sqen

Aktiviteti lançues: Parlamenti Rural Shqiptar 2017

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) në partneritet me Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) synojnë të koordinojnë përpjekjet advokuese dhe përvojën akademike për influencimin e politikave të zhvillimit rural me qëllim që ato të jenë më efektive, të lidhura ngushtë me nevojat reale të komuniteteve lokale dhe që sjellin rezultate konkrete në jetën e popullatës në zonat rurale. Kjo kërkon që hartimi i politikave publike të zhvillimit rural të mbështetet në evidenca që ofrohen nga kërkimet dhe studimet shkencore të kryera nga kërkues e grupe kërkuesish të Universitetit dhe të tjerë.

 

Në këtë mënyrë, partneriteti i dy institucioneve do të mbështesë dhe japë shtysë politikëbërjes së zhvillimit rural bazuar në evidencë. Për këtë qëllim, të dyja institucionet do të organizojnë më 28-30 Shtator 2017 Parlamentin e Parë Rural Shqiptar – një platformë advokuese, ndërtimi kapacitetesh dhe rrjetezim dedikuar zhvillimit rural. Një event i tillë synon të ofrojë hapësirë për aktorët e zhvillimit rural të shprehin interesat e komuniteteve rurale, kontaktojnë më politikë-bërësit dhe influencojnë politika dhe veprime të ndërmarra nga aktorët publikë dhe të tjerë të zhvillimit rural. Dëgjimi dhe marrja në konsideratë e zërit të komuniteteve rurale është qëllimi final i Parlamentit Rural. Në këtë kontekst, ANRD dhe UBT organizojnë Takimin Çelës për të bërë publike nismën për Parlamentin e parë Rural Shqiptar dhe qëllimet e kësaj sipëmarrje. Aktiviteti synon të hartojë një platformë të sfidave të vendit në lidhje me zhvillimin rural, të cilat më herët janë identifikuar me pjesëmarrje me aktorët lokal. Ky event do të jetë aktivitet pararendës për 12 tryeza rajonale ku platforma e sfidave e dakortësuar do të konsultohet me të gjithë aktorët e interesuar në 12 qarqet e vendit. Janë të ftuar të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në diskutimet e konferencës anëtarët e Rrjetit për Zhvillimin Rural dhe tjerë aktorë të shoqërisë civile, ekspertë dhe akademikë të UBT-së, përfaqësues të Agjencive të Zhvillimit Rajonal, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që asistojnë zhvillimin rural të vendit, përfaqësuës të Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, përfaqësues të shoqatave të autoriteteve lokale dhe rajonale, dhe të tjerë aktorë të zhvillimit rural.