Skip to content Skip to footer

IDM merr pjesë dhe kontribuon në Forumin e Beogradit për Sigurinë

 

Është kthyer tashmë në një traditë pjesëmarrja dhe kontributi i IDM në Forumin e Beogradit për Sigurinë (BSF). Këtë vit, u mbajt forumi i katërt. Ai u zhvillua në datat 30 Shtator – 2 Tetor dhe u fokusua kryesisht në çështjet specifike të sigurisë, rrjedhojë e zhvillimeve në Ukrainë dhe Levant (Siri, Irak e vendet fqinje). Disa prej folësve më të shquar në këtë aktivitet ishin: Zoti Aleksandër Vuçiç, Kryeministri i Serbisë, Zoti Xhuliano Amato (ish Kryeministër i Italisë) Zoti Franko Fratini (ish Ministër i Jashtëm i Italisë) etj. IDM kontribuoi në këtë aktivitet, në një panel të veçantë, duke prezantuar disa gjetje kryesore dhe rekomandime, prej studimit mbi “Kapacitetet civile shqiptare, të mundshme për operacionet e paqes në vendet post-konflikt”.

Studimi, pjesë e një projekti rajonal, synonte vlerësimin e kapaciteteve të tilla në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetej nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë. Zoti Foto Duro, studiues në IDM dhe autor i këtij studimi, në prezantimin e tij, theksoi se Shqipëria ka përfituar nga mbështetja e jashtme për krijimin e këtyre kapaciteteve në disa prej funksioneve thelbësore qeverisëse; tashmë ajo mund (dhe duhet) të kontribuojë me këto kapacitete në misionet e paqes, jashtë vendit; pavarësisht disa vështirësish ende të pranishme (kryesisht mungesa e përvojës, burime të kufizuara) ka disa faktorë që favorizojnë një kontribut të tillë prej Shqipërisë; për shkak të disa veçorive, ky kontribut duket më i përshtatshëm ndaj krijimit/konsolidimit të këtyre kapacitete në Kosovë.

Për më shumë informacion në lidhje me Forumin e Beogradit për Sigurinë mund t’i referoheni link-ut: www.belgradeforum.org

beo-sec foto-beograd