sqen

IDM, tryezë diskutimi për kuadrin ligjor në sektorin privat të sigurisë në Shqipëri

private sector pic 2 Një tryezë diskutimi për “Kuadrin Ligjor dhe Sfidat e Modernizimit të Sektorit Privat të Sigurisë” mblodhi sot përfaqësues të Shoqërive Private të Sigurisë, përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore të tjera përgjegjëse për kontrollin dhe mbikëqyrjen, shoqata të biznesit si dhe palë të tjera të interesuara.
Gjatë kësaj tryeze u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e një studimi të kryer për herë të parë me temë “Sektori Privat i Sigurisë në Shqipëri”. Diskutimet vijuan me analizën e ecurisë së zbatimit të kuadrit të ri ligjor dhe problemeve që hasen në këtë aspekt.

Gjatë dy dekadave të fundit ky sektor është zhvilluar shumë për sa i përket madhësisë dhe jep një kontribut të rëndësishëm në parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurinë publike në vend. Aktualisht ky sektor ka punësuar mbi 10,000 mijë persona dhe gjeneron një të ardhur vjetore të sektorit mbi 40 milionë Euro – aktualisht përbën një nga shërbimet më të rëndësishme të ekonomisë së vendit.

Kuadri rregullator është zhvilluar paralelisht me zhvillimin e sektorit. Deri në një nivel të caktuar, ai ka reflektuar tendencat e tregut por nga ana tjetër ai ka kontribuar gjerësisht edhe në formësimin e sektorit duke kufizuar madhësinë e shoqërive dhe llojin e shërbimeve që ata mund të ofrojnë. Megjithë ecurinë, Sektori Privat i Sigurisë është përballur dhe vazhdon të përballet me një sërë problemesh që lidhen si me dispozitat e kuadrit ligjor dhe rregullativ ashtu edhe me zbatimin e tij. Mungesa e një politike të qartë mbi perspektivën e këtij sektori ka shpënë në hartimin e dispozitave ligjore të cilat kanë dekurajuar investimet dhe penguar zhvillimin dhe modernizimin e Shoqërive Private të Sigurisë.private sector pic

Nga ana tjetër, zbatimi i dobët i legjislacionit, praktikat korruptive në proceset e licencimit, tenderimit dhe punësimit, si dhe mungesa e kontrollit dhe mbikëqyrjes efektive, kanë dëmtuar konkurrencën e lirë dhe të ndershme në treg, profesionalizmin dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara.
Ligji aktual, i miratuar në gusht të vitit 2014, si dhe kuadri nënligjor që ka vijuar, kanë krijuar premisa për modernizimin e sektorit duke hequr disa nga barrierat që kufizonin zhvillimin e Shoqërive Private të Sigurisë dhe duke përmirësuar mekanizmat e kontrollit. Megjithatë akoma nuk ka një vlerësim të ecurisë së zbatimit të legjislacionit të ri dhe të avantazheve dhe problemeve që hasen.

Për më tepër shkarkoni studimin e plotë: Sektori Privat i Sigurisë në Shqipëri.