Skip to content Skip to footer

Ftesë për pjesëmarrje: Seminar për Organizatat e Shoqërisë Civile “Parimet e Administratës Publike”

Ftesë për pjesëmarrje

Seminar për Organizatat e Shoqërisë Civile “Parimet e Administratës Publike ”

8 Shkurt 2017, Hotel Plaza, Tiranë

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në kuadër të projektit WeBER dhe në bashkëpunim me SIGMA / OECD organizon më datë 8 Shkurt 2017 (Hotel Plaza Tiranë) një seminar për organizata të shoqërisë civile mbi “Parimet e Administratës Publike – Seminar për Organizatat e Shoqërisë Civile”. Qëllimi i këtij seminari është informimi dhe zgjerimi i njohurive të OSHC-ve vendase lidhur me Parimet e Administratës Publike duke nxitur në këtë mënyrë përfshirjen më të lartë të shoqërisë civile në monitorimin e reformave në administratën publike. Ekspertë të lartë të SIGMA / OECD (Lech Marcinkowski – Këshilltar i lartë për shërbimin publik dhe menaxhimin e burimeve njerëzore; Brian Finn – Këshilltar i lartë për menaxhimin e financave publike dhe Bagrat Tunyan – Këshilltar i lartë për zhvillimin dhe koordinimin e politikave, njëherësh edhe Koordinator i SIGMA për Shqipërinë) do të prezantojnë parimet e SIGMA-s për administratën publike për pjesëmarrësit – përfaqësues të OSHCve – hulumtues, drejtues projektesh/programesh dhe analistë politikash.

Në kuadër të këtij seminari, sesioni i fundit i dedikohet projektit WeBER duke prezantuar objektivat e tij, metodologjinë e monitorimit të reformës në administratën publike dhe strukturën e Grupeve të Punës të cilat do të nxisin përfshirjen e OSHC-ve në projekt dhe specifikisht në monitorimin e reformës. Gjithashtu, ky sesion do të ofrojë informacion lidhur me Instrumentin e granteve të vogla të projektit WeBER për Mbështetjen e Shoqërisë Civile për Monitorimin e Reformës në Administratën Publike. Thirrja për aplikime (e disponueshme këtu) me një vlerë të përgjithshme prej 255,000 EUR (në nivel rajonal) ka për qëllim të mbështesë deri në 30 projekte, 6 – 12 mujore me një vlerë prej 5,000 deri në 10,000 EUR, nga të cilat, deri në 5 grante për OShC-të në Shqipëri.

Lutemi  konfirmoni pjesëmarrjen (përfshirë të dhënat e personit që do të marrë pjesë në seminar) tek [email protected] brenda datës 5 shkurt 2017.