Skip to content Skip to footer

Biznesi – Rol Drejtues në Zhvillimin e Aftësive për Punë në Shqipëri

Biznesi – Rol Drejtues në Zhvillimin e Aftësive për Punë në Shqipëri

Modeli zviceran sjell përfshirjen e sipërmarrësve “mendjehapur” në aftësimin e rinisë

Rreth 50 kompani të ndërgjegjësuara për rolin drejtues që biznesi duhet të ketë në arsimin  profesional diskutuan sot mbi mënyra inovative për kualifikimin e të rinjve në Shqipëri. Këto rrugë alternative synojnë ta bëjnë  mësimin më praktik dhe më tërheqës për të rinjtë, të bazuar fort  në informatikë dhe bashkëpunim me biznesin.

Këto nevoja për ndryshim janë evidentuar nga studimi i prezantuar në takim, i kryer nga IDM. Aty  trajtohen jo vetëm sfidat, por edhe mundësitë për të nxitur ndryshime në kualifikimin e fuqisë së re punëtore. Kjo e parë veçanërisht në sektorë premtues si mikpritja & turizmi, ndërtimi, tekstili, si dhe informatika. Kthimi i konkluzioneve të biznesit mbi kualifikimin në realitet gjatë 3 viteve në vazhdim bëhen përmes projektit “Aftësi për Punë” financuar nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri dhe zbatuar në Vlorë, Lezhë e Berat nga organizata Swisscontact. 4000 të rinj dhe të reja, 4500 të rritur, 100 mësues dhe një numër i madh kompanish pritet të përfitojnë.

Dihet se në ekonomitë konkuruese në botë, është biznesi ai që udhëheq proceset për zhvillimin e aftësive profesionale të punonjësve të ardhshëm. Këtë kërkon të bëjë projekti  zviceran “Aftësi për Punë” duke nisur këtë ndryshim në shkollat profesionale dhe qendrat e formimit në Vlorë, Lezhë dhe Berat. Ndryshimi nis pikësëpari me një dialog të hapur me ato sipërmarrës të cilët janë të ndërgjegjshëm për nevojën e biznesit për të qenë aktivë në hallkat e aftësimit të punonjësve. Dhe numri i tyre po shtohet.

Duke folur për  modelin zviceran  të arsimit profesional, Z. Philipp Keller,  Shef i Misionit Diplomatik të Ambasadës Zvicerane në Shqipëri theksoi se “Ai është bazuar në lidhjen e fortë me nevojat e tregut, bashkëfinancim publik-privat, si dhe numër të madh të të rinjve që zgjedhin arsimin profesional”. Edhe Z. Samuel Bon, Drejtor Ekzekutiv i Swisscontact, theksoi se arsimi profesional funksionon në Zvicër pasi jo vetëm bizneset e mëdha si Nestle e Novartis, por edhe 80.000 bizneset e vogla në vend angazhohen me kualifikimin e të rinjve si financiarisht ashtu edhe me skema praktike pune.

“Bashkëpunimi me shkollat profesionale dhe qendrat e formimit duhet parë në kuptimin “jap e marr”. Kam dy djem pranë moshës që duhet të mendojnë për drejtimin e tyre. Orientimi drejt profesioneve dhe investimi në zhvillimin e arsimit profesional është gjëja më e mirë që mund të bëj për ta.”-thotë Gentian Likaj,  administrator i  kompanisë informatike Communication Progress.

  1. Martin Gjonaj, Menaxher i hotelit Theranda, përmendi nevojën e biznesit për staf të kualifikuar p.sh. në agro-turizëm. “Vetëm me afrimin dhe angazhimin e biznesit tek arsimi profesional arrihet  prodhimi i një fuqie punëtore të kualifikuar. ”-deklaroi ai. “Gjërat duhen parë në perspektivë nga ne sipëmarrësit” – tha Z. Pelinku, pronar i Pelinku Jeans.

Lajmet e mira nga studimi janë se “Cilësia e procesit mësimor dhe punësueshmëria e të diplomuarve është dukshëm më e lartë  aty ky shkollat profesionale kanë  marrëdhënie aktive me kompanitë”. Po kështu, studimi gjeti  se “Nxënësit, konkretisht 72% e tyre, janë tashmë shumë më të lidhur me teknologjinë duke përdorur celularët, internetin, mediat sociale dhe aplikacionet e komunikimit çdo ditë”. Të gjitha këto i hapin rrugë mënyrave të reja të kualifikimit të punonjësve,  me metoda të reja dhe ku sipërmarrësit duhet të kenë një rol drejtues – rekomanduan ekspertët.